BIRN: Pensionistët rikthehen si faktor politik

Data

Disa dhjetëra pensionistë dolën në një protestë të rrallë mesditën e së mërkurës para selisë së kryeministrit ndërsa ky i fundit gjendej në Durrës për të folur me disa pensionistë të tjerë. Protesta e Tiranës u thirr nga Lëvizja Bashkë, një parti e re që pritet të garojë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, bazuar në një platformë politikash të majta. Dhe një prej temave më të artikuluara të kësaj partie janë pensionet.

Gjithsesi mbetet për t’u parë nëse pensionistët do të bëhen apo jo faktor politik. Ajo që është parë sakaq është që pensionistët po përmenden nga tre parti, nga Rama, i cili dukshëm po detyrohet të vihet në pozicion mbrojtës dhe në nevojë për të shpjeguar se pse pensionet janë të vogla, nga Berisha, i cili premton rritje me 20 për qind të pensioneve, duke mbështetur këtë në historikun e rritjes së herëpashershme të pensioneve gjatë mandatit të tij të parë, dhe nga Lëvizja Bashkë, e cila dukshëm po përpiqet të vë në pah hendekun mes pensionistëve të varfër dhe politikanëve të pasur.

Aktualisht në Shqipëri skema kombëtare e pensioneve financohet nga sigurimet shoqërore të paguara nga të punësuarit si dhe, në një masë jo të vogël, nga taksimi i përgjithshëm. Projekt-buxheti i vitit 2025 parashikon shpenzime në masën 192 miliardë lekë (1.9 miliardë euro) për pensione ndërsa kontributet e të punësuarve pritet të mbulojnë vetëm 76% të këtyre shpenzimeve. Pjesa tjetër do të paguhet nga qytetarët përmes taksimit të përgjithshëm, fjala vjen, TVSH apo akciza.

Në një përpjekje për t’i dhënë kuptim përmasave të problemit, kryeministri Edi Rama deklaroi në një rast se indeksimi i pensioneve, procesi që nuk i rrit pensionet, por që i vendos pensionistët në të njëjtën fuqi blerëse me një vit më parë, i kushtoi buxhetit 100 milionë euro. Ai pas kësaj akuzoi “biznesmenët” si përgjegjës për mosrritjen e pensioneve duke u përpjekur të argumentojë se punëdhënësit nuk deklarojnë pagat e plota që i paguajnë punëmarrësve, duke shmangur në këtë mënyrë detyrimet për sigurime shoqërore. Kryeministri nuk ofroi ndonjë analizë për përmasat e problemit por përdori gjuhë të ashpër, duke akuzuar “biznesmenët” si “vjedhës”.

“Çdo biznesmen që shmang deklarimin real të pagës, vjedh nga një pensionist. Me këtë ne do të arrijmë të kemi një kapacitet që të rrisim edhe pensionin”- tha ai.

Evazioni fiskal është një fenomen i perceptuar si gjerësisht i pranishëm në Shqipëri dhe është një fenomen të cilin, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, një zyrë, drejtori i së cilit emërohet nga kryeministri, ka për detyrë ta luftojë. Rama nuk dha shpjegime se pse, në vitin e 12 të qeverisjes së tij, biznesmenët lejohet të vijojnë të “vjedhin pensionistët”.

Kundërshtari i tij, Sali Berisha, u frymëzua nga një vendim i qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur Ramës.

“Unë nuk po bëj gjë tjetër, vetëm po zotohem të aplikoj skemën që aplikoi qeveria e Kosovës, dhe mbi këtë bazë një rritje prej 20 përqind në varësi të kontributeve që kanë gjatë jetës së tyre”, -tha Berisha në një deklaratë për shtyp të shpërndarë për mediat nga shtëpia e tij, ku po vuan masën ‘arrest me burg’ me akuzat për korrupsion.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related