Ministria e Jashtme e Greqisë ka reaguar në lidhje me sulmin ndaj eurodeputetit Fredi Belerit gjatë vizitës së tij në Shqipëri, ku një qytetar e goditi me vezë dhe i hodhi kos. Ministria greke e ka dënuar sulmin dhe ka kërkuar nga autoritetet shqiptare të marrin masa për të garantuar sigurinë e eurodeputetëve.
“Dënojmë sharjet dhe fyerjet ndaj eurodeputetit grek Fredi Beleri gjatë vizitës në Tiranë të delegacionit të Parlamentit Europian, për të kontrolluar procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. Autoritetet shqiptare duhet të marrin masat e duhura për të garantuar sigurinë e eurodeputetëve dhe lirinë për të bërë punën pa pengesa. Eurodeputetët përfaqësojnë interesat e qytetarëve të Bashkimit Europian dhe duhet të gëzojnë respektin e duhur”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Greqisë.
Fredi Beleri erdhi në Tiranë si pjesë e delegacionit të Parlamentit Europian për takimin e radhës të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE. Incidenti ndodhi gjatë mesditës të së martës pasi Beleri dhe eurodeputetët e tjerë kanë dalë nga godina e kryesisë së Kuvendit, ku janë takuar me grupet parlamentare të maxhorancës dhe opozitës.
