Nuk kanë fund telashet për Ilir Beqajn, SPAK i sekuestron apartamentin në Vlorë, ja si ish-ministri u fundos nga…

Data

Apartamenti i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në Vlorë është sekuestruar nga Gjykata e Posaçme (GJKKO), me urdhër të Prokurorisë Speciale (SPAK). Konkretisht GJKKO ka sekuestruar një apartament të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqajt me vendodhje në Lungomare, Vlorë. Bëhet fjalë për një apartament me sipërfaqe 90.8 m2, sipërfaqe verande 61.2 m2 dhe sipërfaqe të përbashkëta 13.7 m2, të ndodhura në zonën e Lungomares, dhe që janë vendosur të gjitha nën sekuestro preventive. Në Korrik 2024, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kontrolluan këtë pronë të Beqajt në Vlorë, ku përfituan të dhëna të vlefshme për hetimin.

Sipas SPAK, kjo pronë dhe shpenzimet/investimet e kryera për mobilimin e saj nuk rezultojnë të jenë deklaruar sipas legjislacionit në fuqi nga Ilir Beqaj apo personat e lidhur me të. “Në vitin 2016, me kontratën e porosisë lidhur mes shoqërisë ndërtuese R…K… shpk dhe shtetasit I.F është prenotuar apartamenti në vlerën 6,700,000 (gjashtë milionë e shtatëqind mijë) lekë. Në vitin 2017 ka nisur investimi dhe mobilimi i apartamentit nga ana e Ilir Beqajt dhe bashkëshortes së tij, proces i cili ka zgjatur deri në fillim të vitit 2019. Sipas aktit të ekspertimit vlerësues, vlera totale e investuar shkon deri në 5,064,700 (pesë milionë e gjashtëdhjetë e katër mijë e shtatëqind) lekë.

Në Shkurt të vitit 2020 është lidhur kontrata e qerasë mes shtetasit I.F (lidhje e ngushtë shoqërore e Ilir Beqaj) dhe A.B (bashkëshortja e Ilir Beqaj). Pavarësisht këtij fakti ka rezultuar se Ilir Beqaj dhe familjarët e tij e kanë poseduar lirisht pronën dhe janë sjellë si pronarë të sendit të paluajtshëm deri në fillim të vitit 2019″, njoftoi dje SPAK. Sipas Prokurorisë së Posaçme, të gjitha këto fakte në tërësinë e tyre vërtetojnë ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm mbi fiktivitetin e veprimit juridik, me qëllim fshehjen e origjinës së pronës. Ish-ministri Ilir Beqaj është i arrestuar për abuzimet me fondet e SASPAC për periudhën kur ka qenë drejtues i Agjencisë së Koordinimit të Fondeve të Huaja.

Bëhet fjalë për abuzimet me të paktën 8 prokurime, mes të cilave një tender për ceremoninë e mbylljes së turizmit të qëndrueshëm, ku fondi i vënë në dispozicion ishte shumë i lartë. Sipas SPAK, kjo festë është zhvilluar në restorantin ku Beqaj dhe gruaja e tij ka pasur 15% të aksioneve, të cilat më pas i ka shitur apo dhuruar. Hetimi për zbulimin e kësaj skeme nga SPAK nisi paralelisht me dosjen e sterilizimit ku ish-ministri i Shëndetësisë është gjithashtu në akuzë për shpërdorim detyre.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related