Një vilë në Qerret po hedh dritë mbi lidhjet mes politikanëve, analistëve dhe biznesmenëve të njohur, duke zbuluar një zinxhir transaksionesh që përfshin figura të rëndësishme të politikës dhe biznesit shqiptar. Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme për ish-presidentin Ilir Meta dalin detaje episode që ngrenë dyshime për pastrim parash, por edhe shkëmbime favoresh mes Metës, oligarkut Samir Mane dhe analistit Baton Haxhiu. Sipas SPAK, marrëdhënia e Manes me çiftin Meta dhe Kryemadhi shkon të paktën dy dekada pas. Në vitin 2007, Mane bleu një banesë nga ish-presidenti Meta në Qerret.
Meta e kishte blerë banesën në vitin 2002 për 60 mijë USD dhe ia shiti Manes në vitin 2007 për 300 mijë euro në cash. Shuma e fituar nga shitja e banesës nuk u deklarua nga ish-presidenti në ILDKPKI në vitet 2007-2009. E njëjta banesë u rishit në vitin 2021 nga Mane gazetarit Baton Haxhiu për 80 mijë euro. Duke parë këto shira të çuditshme, pra me një diferencë të madhe të shitjes dhe blerjes së kësaj vile, ngrihen dyshime për favore ose interesa të tjera që nuk janë deklaruar. Për Samir Manen, SPAK përmendi ligjet që u bënë në favor të tij, si për minierat, por edhe për bizneset e tjera. Po Batoni çfarë ka përfituar në këtë mes? Çfarë shërbimesh ka bërë ndaj Metës, por edhe Samir Manes
Shpërthimi i Batonit pas arrestimit të Metës
Këtu shtohen edhe më shumë dyshimet pas reagimit të Baton Haxhiut pas arrestimit të Ilir Metës. Ai u revoltua pse policia e mori zvarrë ish-presidentin “Një drejtor i cili udhëheq Policinë e Shtetit do duhej që të ndjehej i turpëruar, bashkë me ministrin e vendit që i ndodhin të tilla gjëra. Kjo nuk është procedurë, por është kodi moral, përfaqësimi i imazhit të shteti, përfaqësimi i imazhit të policisë, dhe natyrshëm krijon imazhin se po respektohet qytetari dhe institucioni. Të gjitha veprimet e kësaj policie rrumbullakohen me një fjalë “banditizëm” dhe mungesë profesionaliteti. Nuk janë akte banditeske vetëm aktet e kriminelëve.
Ajo që dua të them është se nëse SPAK ka bërë një hulumtim korruptim me vite për Ilir Metën, sot që ka bërë SPAK-u është shkatërruar qëllimshëm ose paqëllimshëm nga një grup joprofesionistësh të cilët ia kanë marrë fytyrën Policisë së Shtetit. Nesër nëse kjo një shoqërie apo një ministri të Brendshëm nuk i bën përshtypje, nëse një drejtori të policisë kjo nuk i bën përshtypje, atëherë çfarë mund të ndodhë në këtë vend. Mos harrojnë njerëzit se duke i viktimizuar kështu me pasjellje, duke i viktimizuar njerëzit të cilët kanë një të kaluar me probleme korruptim, nuk shërohet kështu korrupsioni dhe ti në mënyrë të padrejtë ndërton drejtësi”, tha i revoltuar Baton Haxhiu pas arrestimit të Metës
