Në një kohë kur Shqipëria po përballet me sfida të mëdha, politike, juridike, ekonomike dhe sociale, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të shpenzojë qindra mijëra euro në një vizitë që vetëm sa nxjerr në pah luksin dhe shpenzimet e tepruara të kabinetit të tij. Mësohet delegacioni i fryrë që shoqëroi Ramën në New York përfshin emra të njohur të politikës dhe bashkëpunëtorë të kryeministrit si kryeparlamentarja Spiropali, deputeti Taulant Balla, kryebashkiaku i Himarës Vangjel Tavo, drejtori i komunikimit në Kryeministri Endi Fuga dhe një mori funksionarësh të tjerë, duke krijuar një pamje skandaloze të shpërdorimit të parave të taksapaguesve shqiptarë.
Detajet
Ndërsa pensionet e shqiptarëve janë rritur me vetëm 700 lekë, Rama është kapur me shpenzime marramendëse, përfshirë bileta të shtrenjta për ngjarje sportive që kapin shifra deri në 10 mijë dollarë, sikundër u pa këtë fundjavë teksa ishte duke parë një ndeshje basketbolli të NBA. Por kjo situatë është e papranueshme për një lider të një vendi ku shumica e qytetarëve jetojnë me pensione prej 100 dollarësh në muaj. Është e trishtueshme të mendosh se një natë, apo një event ku “harbohet” kryeministri Rama dhe bashkëpunëtorët e tij në New York apo në vende të tjera të ngjashme, kushton më shumë se pensioni mujor i 300 pensionistëve shqiptarë. Vizita e Ramës për të mbushur sallën në New York, së bashku me familjen e tij, ka bërë që mijëra qytetarë të pyesin se kush e financon këtë luks, ndërkohë që opozita e shoqëria civile kanë hedhur akuza të forta ndaj tij.
Pavarësisht skandaleve ekonomike të qeveritarëve të tij, për shkak se shumë bashkëpunëtorë i kanë rënë në burg apo po hetohen nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për afera korruptive, kryeministri Rama duket se vazhdon të rrezatojë siguri në shpenzimet e tij, duke injoruar situatën e rëndë ekonomike që po përjeton vendi. Duket se vizita e Ramës në New York këtë fundjavë, që në finale u përmbyll me një takim me emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të turit të takimeve me diasporën, të cilëve iu kërkoi votën për mandatin e katërt pranverën e vitit të ardhshëm, ishte më shumë për t’u argëtuar se sa për të përfaqësuar interesat e shqiptarëve. Sipas ligjit shqiptar, zyrtarët e lartë duhet të respektojnë kufij të caktuar në marrëdhëniet me dhuratat nga homologët e huaj, që është deri në 25 mijë lekë të reja ose 250 mijë lekë të vjetra.
Por Rama duket se ka kaluar çdo limit, duke u sjellë si një kryeministër i një vendi të pasur, teksa populli i tij jeton në varfëri. Ky kontrast thekson nevojën për një hetim nga SPAK mbi shpenzimet e tij, të cilat përbëjnë një fytyrë të shëmtuar të politikës shqiptare. Por ky skandal i kryeministrit Edi Rama nuk është vetëm një çështje e shpenzimeve të qejfit, pasi ajo pasqyron një kulturë politike të shpërdorimit dhe indiferencës ndaj nevojave të popullit. Kryeministri Rama duhet të kuptojë se detyra e tij është të përfaqësojë qytetarët e Shqipërisë, jo të kalojë nëpër festa apo evente luksozë në kurriz të buxhetit të shtetit. Kështu që përpara kësaj situate, ka ardhur koha që qytetarët të kërkojnë llogari dhe të kundërshtojnë këtë shpërdorim të pafalshëm. Shqipëria meriton më shumë se sa shpenzime të ekzagjeruara dhe një qeveri që shijon jetën në kurriz të popullit.
Këlliçi: Një biletë e tij për në NBA kushton sa pensioni mujor i 70 pensionistëve
Ndërkaq vizita e kryeministrit Edi Rama në SHBA ka shkaktuar një sërë reagimesh. Shefi Politik i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, teksa ka komentuar takimin e Ramës në SHBA, theksoi se kreu i narkoshtetit Edi Rama, u prit me protesta të fuqishme nga atdhetarët shqiptaro amerikanë të New York-ut, të cilët i treguan vendin arkitektit të shpopullimit masiv të Shqipërisë në këto 12 vite. Këlliçi theksoi se i takon organeve të drejtësisë, të gjejnë kush janë këta bamirës që shpenzojnë qindra mijëra dollarë për dhuratat dhe qejfet e Edi Ramës në SHBA, pasi këto janë vetëm disa aktivitete që janë mundur të zbulohen nga opozita. Ai pyet se kush pagoi për biletën e ndeshjes së NBA, që sipas Këlliçit kushtojnë nga 3,600 deri në 7,260 dollarë për person.
