Biseda telefonike mes miliarderit dhe presidentit rus për 2 vite, për çfarë ka komunikuar Elon Musk me Vladimir Putin?

Data

Elon Musk, pronari miliarder i kompanisë SpaceX që ka fituar kontrata qeveritare dhe një aleat kyç i kandidatit republikan për president Donald Trump, ka qenë rregullisht në kontakt me presidentin rus Vladimir Putin në dy vitet e fundit, raportoi gazeta Wall Street Journal. Një person që është në dijeni të çështjes, i cili foli në kushte anonimiteti, konfirmoi për agjencinë e lajmeve Associated Press se zoti Musk dhe zoti Putin kanë pasur kontakt përmes telefonatave. Burimi nuk dha detaje shtesë në lidhje me shpeshtësinë e telefonatave, kur janë kryer apo përmbajtjen e tyre.

Elon Musk, njeriu më i pasur në botë që zotëron kompaninë Tesla dhe platformën e mediave sociale X është kthyer në një zë të fortë të së djathës amerikane. Ai ka dhënë miliona dollarë për fushatën e zotit Trump dhe e ka kthyer platformën e njohur dikur si Twitter në një rrjet që ka shumë mbështetës së Trumpit, por po ashtu edhe teori konspracioni, ekstemistë dhe propagandues rusë. Kontaktet e zotit Musk me zotin Putin ngrenë pikëpyetje të sigurisë kombëtare, duke patur parasysh se kompanitë e tij punojnë për qeverinë dhe po ashtu nënvizojnë shqetësimet mbi ndikimin rus në politikën amerikane.

Çfarë duhet të dini:

Mbi çfarë biseduan ata

Elon Musku dhe Vladimir Putini kanë folur vazhdimisht për çështje personale, çështje të lidhura me biznesin dhe gjeopolitikën, raportoi gazeta Wall Street Journal të enjten, duke cituar shumë zyrtarë dhe ish zyrtarë në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Rusi. Gjatë një bisede, Presidenti Putin i kërkoi Elon Muskut të mos aktivizonte sistemin e tij satelitor Starlink mbi Tajvan si një favor për presidentin kinez Xi Jinping, i cili ka forcuar lidhjet me Putinin, raportoi gazeta. Udhëheqësit Putin dhe Xi janë takuar më shumë se 40 herë që nga viti 2013.

Rusia ka mohuar zhvillimin e një bisede të tillë. Në vitin 2022, zoti Musk tha se kishte folur vetëm një herë me Putinin, përmes një bisede telefonike të zhvilluar 18 muaj më herët, me temë hapësirën. Ambasada e Kinës në Uashington tha të premten se nuk “ishte në dijeni të hollësive” të ndonjë kërkese të bërë nga Putini në interes të Kinës. Kompania X dhe Tesla nuk iu përgjigjën kërkesave për një koment.

Çfarë do të thonë këto biseda për sigurinë kombëtare

Marrëdhënia e zotit Musk me Presidentin rus Putin ngre pikëpyetje mbi sigurinë kombëtare, duke mbajtur parasysh miliarda dollarët që i janë dhënë përmes kontratave qeveritare kompanisë SpaceX , një partner kritik i NASA-s dhe projekteve satelitore të qeverisë. Po ashtu, zoti Trump është zotuar t’i jape zotit Musk një rol në administratë, nëse fiton zgjedhjet e muajin të ardhshëm.

Kreu i çdo kompanie nënkontraktore qeveritare të madhe në fushën e mbrojtjes do të përballej me pikëpyetje të ngjashme nëse do të zhvillonte biseda private me një nga kundërshtarët më të mëdhenj të Amerikës, thotë Bradley Bowman, ish-asistent profesor në Akademinë Ushatarake West Point dhe këshilltar për sigurinë kombëtare në Senat, i cili tani shërben si drejtor i lartë i Qendrës për Fuqi Politike dhe Usharake pranë Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, me bazë në Uashington. Zoti Bowman tha se koha kur ishin zhvilluar bisedat telefonike, siç raportohet nga gazeta Wall Street Journal, dhe ndryshimi i pikëpamjeve të zotit Musk mbi Ukrainën paraqesin një “rastësi shqetësuese”.

“Politika e qeverisë amerikane është të përpiqet të izolojë Vladimir Putinin dhe Elon Musku po e dobëson në mënyrë direkte një gjë të tillë”, thotë zoti Bowman. “Çfarë po bën Putini me anë të Muskut? Putini po përpiqet të pakësojë izolimin e tij ndërkombëtar dhe të ndikojë në politikën e jashtme amerikane.”

 

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related