SPAK gati të fundosë Frida Krifcën dhe zinxhirin drejtues të AZHBR, qeveria thellon skandalin, pranon abuzimet me…

Data

Prokuroria e Posaçme (SPAK) po kopsit disa dosje “përvëluese” që do të çojnë pas hekurave politikanë të njohur. Më konkretisht ish-ministrja e parë që rrezikohet është Frida Krifca e cila po hetohet nga SPAK në bashkëpunim me ndërkombëtarët për abuzimet me fondet e Bashkimit Evropian. Por teksa pritet të kërcasin prangat sërish në qeverinë “Rama”, mazhoranca ka thelluar skandalin duke hapur një tender 377 mije euro për të “hetuar” veten. Jo vetëm kaq. Qeveria pas më shumë se një viti kur plasi “bomba” nga BE për bllokimin e fondeve, ka pranuar për herë të parë abuzimin me IPARD. Krifca para shkarkimit mohonte se fondet e Brukselit janë ndërprerë, duke theksuar se nuk bëhej fjalë për hetime që lidhen me korrupsion në AZHBR. Sot PS pranon skandalin. Sipas “Vox News”, në një dokument të dalë nga Ministria e Financave thuhet qartë se fondet janë dhënë me “mashtrime dhe konflikt interesi”. Në fakt, këto nuk janë shkelje administrative, por vepra të mirëfillta penale, të cilat po hetohen nga organet ligjzbatuese dhe vetëm ato mund të përcaktojnë dhe të dënojnë abuzuesit.

Por çfarë bën kjo qeveri?

Ministria e Financave hap një tender për të “hetuar” veten, ose më saktë Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor Rural, një agjenci në varësi direkte nga qeveria. Kjo agjenci ka pasur në dorë dhjetëra miliona euro, të cilat shkuan te biznesmenë dhe politikanë, me arsyetimin se do zhvillonin bujqësinë. Përfitues kanë qenë edhe nga bota e krimit, çka solli që BE-ja të ndalojë vijimin e mëtejshëm të programit, duke ngrirë dhjetëra miliona euro të tjera që do të shkonin për bujqësinë shqiptare.

Detajet nga tenderi

Përveç evidentimit të korrupsionit, audituesi do të duhet të identifikojë risqet ndaj të cilave janë ekspozuar fondet e Bashkimit Europian si dhe të ofrojë siguri të arsyeshme se sistemi është përmirësuar. “Objektivi kryesor i këtij auditimi do të jetë identifikimi i risqeve ndaj të cilave mund të jenë ekspozuar fondet e BE-së për 4 thirrjet e Programit IPARD II, në kontekstin e përzgjedhjes së projekteve në lidhje me gjetjet e Raportit të OLAF; si dhe të ofrojë siguri të arsyeshme se përmirësimet e bëra në sistemet e menaxhimit të kontrollit të brendshëm parandalojnë shfaqjen e këtyre parregullsive në të ardhmen,” thuhet në dokumentet e tenderit. Fusha e auditimit do të përfshijë një rishikim dhe hetim të plotë të të gjitha marrëveshjeve të granteve në kuadër të katër thirrjeve për aplikime të programit IPARD II, përveç 54 marrëveshjeve të granteve të audituara më parë nga OLAF për të vlerësuar përputhshmërinë me kuadrin rregullator të BE-së dhe kombëtar në lidhje me marrëveshjet e granteve. Puna do të kryhet përmes auditimit dhe hetimit të një mostre (kampioni) të bazuar në risk të praktikave të granteve për të identifikuar parregullsitë e mundshme dhe për të siguruar mbulimin e plotë të fushës së auditimit.

Skandali

Mësohet se kohëzgjatja e kontratës është 165 ditë nga data e nënshkrimit të kontratës. Në fund kërkohen raporte. Sipas tyre, drafti duhet t’i dorëzohet zv/ministres së Financave. “Raportet do të hartohen në gjuhen shqipe dhe anglisht dhe duhet të dorëzohen në 4 kopje (kopje të shtypura) dhe një kopje në versionin elektronik (MS Word Format). Është e rëndësishme që ekipi i audituesve të mbajë kontakte dhe bashkëpunim të ngushtë me ZKA. ZKA duhet të informohet për ecurinë e auditimit. Kontraktori duhet të hartojë një draft-raport, me rezultate të qarta dhe koncize, dhe një Raport Përfundimtar. Raportet duhet t’i dorëzohen Zyrtarit Kombëtar Autorizues. Të gjitha dokumentet duhet t’i drejtohen ZKA-së, znj. ADELA XHEMALI, zëvendësministër i Financave” thuhet në këto dokumente. Po, nëse ka shkelje, që pranohen edhe vetë nga qeveria, përse duhet t’i dorëzohen kësaj zyrtareje dhe jo një organi ligj zbatues? Raporti i BE-së fliste mjaft qartë se dhjetëra dosje kishin shkelje të mirëfillta. Çfarë pritet të zbulojnë audituesit?

OLAF foli qartë

Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit, e njohur zakonisht si OLAF, zbardhi pak muaj më parë mashtrimin me fondet e programit IPARD në Shqipëri. OLAF është një organ i mandatuar nga Bashkimi Evropian (BE) për mbrojtjen e interesave financiare të vendeve të unionit dhe u vu në lëvizje nga një denoncim i dërguar nga Shqipëria, ku tregohej skema e vjedhjes së fondeve për bujqësinë dhe dhënia e tyre personave me pushtet, ose të lidhur me qeverinë. OLAF sqaroi se aplikantët për IPARD II ishin të detyruar të paguanin një përqindje të madhe të grantit të tyre për kompanitë konsulente të “përzgjedhura paraprakisht”, të cilat më pas do të lehtësonin kontratat me Agjencinë Shqiptare për Zhvillimin Rural dhe Bujqësinë (AZHBR), e cila shpërndante fondet. Pas një sërë hapash komplekse hetimore, përfshirë kërkimet mjeko-ligjore dixhitale të dokumenteve të lidhura me marrësit e IPARD II, AZHBR dhe operatorë të tjerë ekonomikë, OLAF zbuloi disa parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të disa projekteve. Këto parregullsi përfshinin: – Aplikantëve u kërkohet të paguajnë një pjesë të konsiderueshme të grantit të tyre një kompanie konsulence lokale; – Kontratat që jepen pa konkurrencë, ose përmes një konkursi të manipuluar (me oferta false që dorëzohen); – Çmime të fryra dhe shkelje të rregullave kontraktuale. Pas hetimit të saj, OLAF rekomandoi që Komisioni Evropian të konsiderojë një pjesë të financimit të Thirrjes së Parë dhe të Dytë për Aplikime IPARD II prej 33 milionë euro, si të papërshtatshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related