Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Beratit Eno Bozdo përmes një komunikimi me mediat ka kritikuar sërish kryeministrin Edi Rama për çështjet e biznesit, pensioneve dhe infrastrukturës.
Eno Bozdo: Kur kryeministri takohet me përfaqësuesit e bizneseve, si rregull flet për reforma ose dëgjon për shqetësimet dhe problematikën e tyre. Këtë bëjnë të gjithë kryeministrat evropianë, madje edhe ata të rajonit. Është e tepërt të thuash se ky nuk është rasti me Ed Ramën. Si për çdo gjë tjetër, këtu ndodh e kundërta.
Bizneset u thërritën për tu kritikuar dhe, sipas vetë fjalëve të Ramës, për t`i vënë gishtin kokës përpara se Inteligjenca Artificiale Qeveritare, në bashkëpunim me dy satelitët po aq qeveritarë, tu nxirrnin “lakrat sheshit” të gjithë atyre që sabotonin ekonominë e Shqipërisë.
Tej satirës, Edi Rama drejtoi gishtin nga bizneset duke i bërë ata fajtorë pse nuk rriten pensionet në Shqipëri, pse mungojnë kopshte dhe shkolla për fëmijët, e kështu me radhë. Mesa duket Rama i konsideron përfaqësuesit e biznesit si “dele”, dhe po aq të tillë pensionistët dhe shqiptarët.
Rritja prej vetëm 4% e pensioneve në Shqipëri është fyese, edhe pse qeveria përgatitet për një surplus rreth 700 milionë euro në fund të vitit, që ka ardhur më së shumti si pasojë e rritjes së pagës minimale, pa u konsultuar fare me biznesin. Shumica e vendeve të rajonit i kanë pensionet mesatare dyfishin e tonave. Këtë nuk e kanë arritur duke fajësuar biznesin, por duke ndërmarre reforma kundër evazionit fiskal dhe korrupsionit.
Shqipëria, edhe pse konsiderohet një vend më ngarkesë të lartë fiskale, është e fundit në Ballkan përsa i përket të ardhurave të mbledhura. Ajo realizon të ardhura në 27,8% të PBB, kur Kosova shkon në 29,3%, Maqedonia në 31%, Serbia dhe Mali i zi në 42%. Nëse Shqipëria do të performonte sa mesatarja e rajonit, sot do të mblidhnim 1,8 miliardë euro më shumë, të mjaftueshme për t`i dyfishuar rrogat dhe pensionet bashkë.
Përgjegjësi për këtë ka vetëm qeveria, dhe jo biznesi që thërritet dhe telendiset “live”, për t`i hedhur shqiptarëve trutë e gomarit.
Zgjedhja e kësaj qeveria ka qenë e qartë qysh në fillim, në vitin 2014. Pasi u dyfishuan taksat, paratë avulluan në programin e Rilindjes Urbane. Në vitin 2015 pasi ekonomia ngeci, iu kthyem mbjelljes së kanabisit si kamerdare shpëtimi. Gjatë pandemisë Covid ishim vendi me përqindjen më të ulët (thuajse zero) të ndihmës për ekonominë prodhuese dhe shërbimet. Për të kaluar krizën e radhës hapëm dyert për paratë e zeza që u derdhën dhe po derdhen në çdo cep të ekonomisë. Paçka se euro u gremis e bashkë me të të gjithë eksportuesit janë në agoni. E gjithë kjo në bashkëpunim të ngushtë me krimin e organizuar!
