Prokuroria e Posaçme (SPAK) akuzon Monika Kryemadhin për influencimin e ndryshimit të një ligji në favor dhe për interes të oligarkut Samir Mane. Në këmbim, ish-presidenti i Republikës Ilir Meta, tashmë nën arrest dhe deputetja Kryemadhi dyshohet se kanë përfituar një vilë, të cilën më pas e kanë kthyer. Jo për dëshirën e tyre, por sepse, sipas dosjes, rezulton se në dijeni të pranimit të kësaj dhurate kanë rënë persona të tjerë, përfshirë edhe një ish-ambasador i huaj në vendin tonë. Pavarësisht se vilën nuk e morën, Meta dhe Kryemadhi e mbajtën premtimin e tyre dhe e miratuan ligjin që dyshohet se kërkoi Samir Mane. Rezulton se në fushën e minierave, Kuvendi ka miratuar në 9 Tetor 2014 me 72 vota pro ligjin për “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”.
“Zotëruesi i lejes minerare ka të drejtë të përdorë nënkontraktorë për kryerjen e shërbimeve të ndryshme në funksion të realizimit të veprimtarisë minerare. Nënkontraktori i përzgjedhur duhet të jetë i specializuar në shërbimin për të cilin është kontraktuar nga zotëruesi i lejes minerare. Zotëruesi i lejes minerare ka të drejtë të japë me nënkontraktim të drejtën e shfrytëzimit të lejes minerare, për kërkim-zbulim, për shfrytëzim apo për kërkim-zbulim-shfrytëzim”, thuhet në projektligjin e miratuar nga Kuvendi. Sipas draftit, nënkontraktori i përzgjedhur nga zotëruesi i lejes minerare duhet të marrë miratimin paraprak nga ministria, lidhur me plotësimin e kushteve kryesore ligjore, teknike e financiare, të cilat përcaktohen me udhëzim të ministrit. Ministri përcakton me udhëzim, edhe kushtet e procedurat e nënkontraktimit, të drejtat dhe detyrimet e nënkontraktuesit.
Çfarë shkruhet në dosjen e SPAK:
“Personi nën hetim Ilir Metaj, në kohën që ka qenë kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, personin nën hetim Monika Kryemadhi, kanë marrë përsipër të miratojnë/ndryshojnë një ligj në fushën e Minierave, që zgjidhte një shqetësim të disa investitorëve në këtë drejtim. Si rezultat i marrëdhënies së krijuar, Ilir Metaj dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi kanë pranuar propozimin e biznesmenit Samir Mane për të përfituar një vilë të ndërtuar në Kompleksin Rezidencial Rolling Hills. Pasi ky fakt është marrë vesh dhe nga persona të tjerë duke përfshirë Ambasadorin Grek në Tiranë, ata kanë hequr dorë nga përfitimi duke mos e finalizuar marrëdhënien.
Pavarësisht kësaj, ata e kanë pranuar premtimin. Si rrjedhojë, krijohet dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim ka konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal”, thuhet në dosjen e SPAK. Megjithatë sqarojmë se çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Vila
Ndërkohë deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi hodhi dje poshtë akuzat, duke deklaruar se e ka porositur vilën por më pas e ka kthyer, pasi Ilir Meta nuk dinte asgjë dhe kur ai është vënë në dijeni kjo porosi është kthyer dhe kanë blerë një banesë tjetër. Duke folur në një konferencë për mediat, Kryemadhi theksoi se nuk e ka favorizuar Samir Manen për ligjin që lidhet me minierat. “Për vilën që përmendin, kam dashur të marr vilë pa dijeninë e Metës. E kam parë të pandërtuar, e kam menduar, sepse kisha shitur shtëpinë te blloku dhe do të blija shtëpi tjetër.
