Tensionet politike në Shqipëri janë të larta, sidomos për ish-kryeministrin Sali Berishën dhe ish-presidentin Ilir Meta që po përballen me akuzat e rënda të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Në një klimë ku korrupsioni dhe abuzimet me pushtetin janë në qendër të vëmendjes, Berisha duket se po bën çdo përpjekje për të shmangur pasojat e mundshme ligjore.
Për të mësuar më shumë rreth kësaj situate, lëvizjeve të Berishës apo edhe ish-presidentit Ilir Meta, i cili u arrestua dje me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), gazeta “SOT”, bisedoi me juristen njohur, Brizida Gjikondi, e cila hedh dritë mbi strategjitë dhe pazaret që ish-kryeministri po synon të arrijë për të siguruar lirinë e tij dhe për të mbrojtur pasuritë e tij. Sipas saj, ish-kryeministrit Berisha, ish-presidentit Meta dhe bashkëpunëtorëve të tyre duhet t’i sekuestrohen të gjitha pasuritë.
Po ashtu, gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës Rigles Seliman, zonja Gjikondi theksoi se Prokuroria e Posaçme (SPAK) me vendosmërinë për të ndëshkuar politikanët e korruptuar po shkruan historinë në Shqipëri dhe madje po ndan epokat.
– Zonja Gjikondi, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar seancën paraprake për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe katër të pandehurit e tjerë. Seanca do të mbahet më 24 tetor, në orën 12:00. Ndërkohë Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka përfunduar hetimet për 5 të pandehurit e dosjes “Partizani”. Sali Berisha është i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal. Çfarë pritet të ndodhë dhe rrezikohen pozitat e ish-kryeministrit Sali Berisha?
Jo më kot Sali Berisha ka organizuar protestën në 23 tetor në Strasburg përpara Parlamentit Evropian, pikërisht një ditë përpara gjykimit. Taktikat e tij janë djallëzore, qoftë dhe duke bërë kurban imazhin dhe interesat e vendit, duke tensionuar artificialisht klimën në shoqërinë shqiptare. Seanca gjyqësore është një seancë normale, GJKKO vlerëson dosjen e përgatitur nga SPAK dhe nëse ajo është e bazuar në ligj dhe në prova e procedon për një gjykim të plotë. Mendoj që i gjithë presioni dhe maskarada që po bëhet nga Berisha dhe kandidatët e tij të listës për deputetë kanë për qëllim, arritjen e një pazari, për pushimin e çështjes dhe pazare të tjera që u arritën dhe për vulën dhe sistemin zgjedhor.
-Ndërkohë teksa shohim dosjen që SPAK ka dërguara në GJKKO, bie në sy se hetimit për pastrim parash për Sali Berishën janë të ndara nga dosja “Partizani”, pra është fraksion më vetë. Si e vlerësoni punën e SPAK-ut në hetimin pasuror të Sali Berishës dhe cilat janë faktorët që e bëjnë këtë hetim të veçantë në krahasim me të kaluarën?
Prokuroria e Posaçme (SPAK) po shkruan historinë në Shqipëri. SPAK po ndan epokat. Patjetër që ka një hetim pasuror për familjen Berisha, ndryshe s’do kishte kuptim as hetimi i dosjes së Klubit Partizani, etja për pasurim në shpërpjesëtim me pronat e trashëguara janë thelbi i këtij hetimi.
