Ish-ministri i Drejtësisë Eduart Halimi përmes një postimi në rrjetet sociale ka analizuar arrestimin e ‘beftë’ të Ilir Meta.
Sipas Halimit kushdo, të cilit i hiqet liria, ka të drejtë të njoftohet menjëherë në gjuhën që ai kupton, për shkaqet.
Postimi i plotë i Eduart Halimit:
Ngjarja:
Më 21 tetor 2024, në orën 13.05, ish-presidenti dhe kryetar i PL, Ilir Meta u arrestua nga policia shqiptare, në hyrje të Tiranës në një incident që ka ngjallur shumë debat publik dhe ligjor jo vetëm në Shqipëri. Sipas dëshmive okularë dhe videove të publikuara, disa makina private pa asnjë mbishkrim policor rrethuan makinën e tij, dhe dhjetëra njerëz me maska dhe armatim të rëndë ku vetëm disa me mbishkrim në kurriz bllokuan trafikun në autostradë, prangosën dhunshëm drejtuesin e mjetit Artemis Peca një funksionar politik te PL (pas asnjë vendim gjyqësor deri tani) ndërsa Ilir Meta u tërhoq zvarrë nga automjeti i tij mes publikut me një trajtim degradues pa iu komunikuar asnjë vendim gjyqësor dhe pa i lexuar të drejtat që i takonin sipas Kushtetutës.
Të dy funksionarët politikë u prangosën në autostradë në mes të publikut në mesditë dhe u shoqëruan në ambientet e policisë ku pas disa orësh Metës iu dha vendimi gjyqësor, ndërsa Artemis Peca u lirua pasi nuk kishte asnjë vendim.
Në dy deklarata të shpërndara, SPAK dhe BKH mohuan që tē kenë bërë ekzekutimin e vendimit të GJKKO të kërkuar në datën 9.10.2024 dhe miratuar pas 11 ditësh në datën 20.10.2024 ditën e diel, ndërsa polica pranoi se e kishte kryer ajo ekzekutimin por u justifikua për dhunën nga rrethana ende te pakonfirmuara deri në momentin e këtij shkrimi.
Asnjë provë deri tani gjithashtu nuk është publikuar nga policia se janë respektuar qartë procedurat ligjore, që janë të përcaktuara në nenin 28 të Kushtetutës së Shqipërisë.
Po e them që në fillim se nuk kam asnjë informacion më shumë se njoftimi i SPAK ditën e djeshme lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale ndaj Ilir Metës, dhe nuk kam as ndonjë vlerësim për vendimin gjyqësor që po ashtu nuk e kam, por analiza më poshtë ka të bëjë me ekzekutimin e vendimit nga Policia e Shtetit.
Ilir Meta ka avokatët e tij, të cilët me siguri janë duke përgatitur mbrojtjen, por qëllimi i këtij shkrimi, jashtë stigmatizimit të personave të përfshirë dhe dyshimeve të ngritura për vepra të rënda penale, është interesi publik, nëse kjo mënyrë sjelljeje e policisë, trajtimi degradues dhe gati çnjerëzor, arrestimi publik i treguar në videot e djeshme, përmbush standardet minimale ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e të arrestuarve, duke përfshirë vendime gjyqësore nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR).
