Në njërën anë, bashkëpunim dhe optimizëm. Në anën tjetër, paralajmërime për paqëndrueshmëri. Ky dualizëm karakterizon prej kohësh Ballkanin Perëndimor – rajonin ku aspiratat për partneritet dhe përparim ndeshen shpesh me përçarjet dhe mosbesimin historik.
Përfaqësuesit e gjashtë vendeve të tij – Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës – u ulën më 14 tetor bashkë në një tryezë në Berlin dhe nënshkruan një Plan Veprimi për Tregun e Përbashkët Rajonal, si dhe Marrëveshje për Qasje në Arsimin e Lartë në vendet e njëri-tjetrit.
Pritësi i takimit, kancelari gjerman, Olaf Scholz, e trumbetoi këtë si përparim të madh.
“Kjo do ta bëjë punën përtej kufijve më pak të komplikuar dhe do t’ju sjellë dukshëm më afër standardeve të BE-së”, tha ai.
Dy ditë më vonë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përçoi tjetër mesazh nga Brukseli:
“Situata në Ballkanin Perëndimor mbetet shqetësuese për shkak të kërcënimeve secesioniste në Bosnje e Hercegovinë, si dhe për shkak të situatës së brishtë të sigurisë në Kosovë dhe përparimit të vogël në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.
Bashkësia ndërkombëtare, prej vitesh, bën përpjekje të rrisë bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë kaluar nëpër luftëra të përgjakshme në vitet ’90, dhe t’i përafrojë ato me Bashkimin Evropian. Për këtë qëllim ka iniciuar edhe Procesin e Berlinit në vitin 2014, i cili përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Çdo vit, përfaqësuesit e tyre mblidhen në samite, bashkë me ata të vendeve partnere, dhe bëjnë marrëveshje e deklarata.
