Rektorët japin alarmin në Kuvend, thirrje deputetëve të mos prodhojnë ligje korruptive, Artan Hoxha tregon se degë…

Data

Universitetet luajnë një rol kyç në bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kjo bëri që rektorët të uleshin dje në një tryezë diskutimi të thirrur nga Kuvendi, ku shprehën shqetësimet e tyre lidhur me zhvillimin e arsimit në vend. Artan Hoxha, rektori i Universitetit të Tiranës, foli për burokracitë që pengojnë zhvillimin e arsimit, veçanërisht procesin e akreditimit dhe tërheqjen e studentëve të huaj. Ai shpjegoi se “burokracitë e caktuara na pengojnë”, duke përmendur se procedurat për qëndrimin e studentëve janë shumë të ngadalta dhe të komplikuara, gjë që i detyron ata të kërkojnë mundësi të tjera jashtë Shqipërisë. “Procesi i ndërkombëtarizimit, duhet ndërthurje e veprimtarisë arsimore brenda e jashtë vendi, burokracitë të caktuara na pengojnë. Burokraci për qëndrimin e studentëve të huaj, nevojë për një shumë parash për të garantuar qëndrimin tij, kalimin nga një zyrë tek një tjetër ai thotë më mirë po shkoj diku tjetër. Hapja e programeve të studimit në gjuhë të huaj, në një klasë ku flitet anglisht, por problemi qëndron tek procesi i akreditimit. Ecim shumë avash me akreditimin”, tha Z.Hoxha

Nga ana tjetër rektori i Universitetit ‘Beder’, Gjergj Sinani, theksoi se nuk duhet të prodhohen ligje të korruptuara, sepse korrupsioni do të përkeqësohet. Ai vuri në dukje se ndihma për qytetarët është jetike, dhe se ka ardhur koha për një rishikim të thellë të ligjeve që rregullojnë sistemin arsimor. “Mos lejoni të prodhohen ligje të korruptuara se korrupsioni do të shkojë me keq. Ne ndodhemi në dilemën të përgatisim qytetarët e mirë se qytetari individ do të vdesë. Ka ardhur koha të rishikohet ligji”, tha Gjergj Sinani. Dr. Edmond Hajrizi, rektori i Universitetit të Nju Jorkut në Tiranë, theksoi nevojën për të përmirësuar kurrikulat në përputhje me sistemin e BE-së, duke theksuar se numri i studentëve të huaj po bie. Kjo përbën një shqetësim të madh për universitetet, pasi diversiteti studentor është një nga elementët kryesorë për zhvillimin akademik. Rektori Hoxha njoftoi gjithashtu për përpjekjet e bëra, përfshirë ofrimin e pagave minimale për studentët e degëve të mësuesisë, por sërish, rezultatet nuk ishin inkurajuese. “Shumë degë të mësuesisë po shuhen,” përfundoi ai.

Qëndrimi i kryetares së Kuvendit

Nga ana tjetër kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali tha se ky takim me rektorët është shumë i rëndësishëm për shumë arsye. “Arsyet gjenden në përgjegjësinë e lartë për të mbajtur hapur linjat e komunikimit dhe bashkëpunimit, partneritet dhe dialogut të Kuvendit nga njëra anë dhe Konferencës së Rektorëve nga ana tjetër, për të qenë jo përballë, por krah për krah secili në përgjegjësitë dhe detyrat vetjake, si një mjet më shumë në realizmin sa më të mirë të detyrave dhe përgjegjësive reciproke”, tha Spiropali. Kryeparlamentarja theksoi se ky takim merr një simbolikë të veçantë, sepse realizohet vetëm pak ditë pas mbajtjes së Konferencës së Dytë Ndërqeveritare, BE-Shqipëri për çeljen e negociatave për grup-kapitullin “Themeloret”.

“Kjo ngjarje është një motiv më shumë për kontributin tuaj për integrimin evropian. Qëllimi i bashkëpunimit tonë është institucionalizimi dhe ndarja komplementare e përgjegjësive të përbashkëta me botën akademike në këtë proces që është gjithëpërfshirës dhe duhet të ketë legjitimitet të plotë demokratik dhe shoqëror. Për përshpejtimin e ritmeve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, për formimin dhe edukimin e studentëve dhe profesionistëve të rinj të Shqipërisë, tërheqja juaj, e pedagogëve dhe studentëve në realizmin e funksioneve të Kuvendit, rritja e kontributit akademik dhe shkencor në proceset vendimmarrëse, poltikëbërëse dhe ligjbërëse, zgjerimi i mundësive për kontributin tuaj në reformat zhvillimore, demokratizuese dhe integruese të vendit, angazhimi i profesorëve dhe studentëve në seancat dëgjimore dhe konsulta në komisionet parlamentare, ofrimi i mundësisë për praktika të studentëve në Kuvend. Këto marrëveshje janë duke u zbatuar dhe rezultatet nuk kanë munguar, por sigurisht ka nevojë për thellim dhe zbatim më të plotë të marrëveshjeve që janë nënshkruar me Kuvendin”, nënvizoi Spiropali. Ajo falënderoi rektorët për kontributin e tyre në Kuvend në konsulta, në dëgjesa publike, në ekspertizë dhe në hartimin e akteve ligjore, gjatë viteve të fundit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related