Kreu i Sindikatës së Policisë së Shtetit, Sadedin Fishta ka folur për situatën në polici dhe problemet që hasin efektivet e policisë. Sot që flasim punonjësit e policisë po përballen me një detyrim të paprecedent: shpenzimin e kartës ushqimore vetëm në supermarketet e biznesmenit Samir Mane. Kjo politikë ka shkaktuar shqetësime të mëdha, veçanërisht në zonat e thella ku nuk ka akses në supermarketet SPAR. Ndërsa çmimet në këto dyqane janë më të larta se ato të tregjeve të tjera, punonjësit e policisë ndihen të detyruar të pranojnë kushte që i rëndojnë financat e tyre.
Kryetari i Sindikatës së Policisë, Sadedin Fishta, ka ngritur alarmin mbi këtë situatë të papërshtatshme. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ai ka paralajmëruar për mundësinë e padive në gjykatë për të mbrojtur të drejtat e punonjësve. Sipas tij, kjo çështje kërkon një vëmendje të menjëhershme dhe një zgjidhje të drejtë për të siguruar mirëqenien e policëve dhe familjeve të tyre.
-Zoti Fishta, Polica e Shtetit ka sot drejtorin e ri. Ai është Ilir Proda. Si e shikoni figurën e tij dhe çfarë porosish mund t’i jepni ju jo vetëm si kreu i Sindikatës së Policisë, por edhe si ish-drejtues policie?
Përderisa është nga radhët e Policisë, një oficer karriere besoj që nga ana profesionale është në rregull pasi Policia zgjedh një drejtues i cili vjen nga radhët e policisë, i njeh problemet, ka patur funksione drejtuese duke filluar që nga funksionet më të ulta e deri te ato më të larta. Parë në këtë aspekt është pozitive, fakti që vjen drejtor policie. Një tjetër element është fakti që erdhi nëpërmjet një përzgjedhje me drejtuesit e tjerë të policisë, pasi aty-aty ishin gati njësoj pasi vinin të gjithë nga radhët e policisë. Problemet e tjera pastaj janë sa i përket performancës.
Së treti në punën e tij, zotit Proda ne si Sindikatë i kërkojmë që të jetë bashkëpunues, pasi shumë drejtorë që kanë ardhur, në fazën e parë sapo janë bërë drejtorë, kanë qenë shumë të mbyllur në pjesën e bashkëpunimit jo vetëm brenda strukturës së Policisë por edhe me ne si sindikatë. Fakti që kanë qenë të mbyllur, tregon që kemi patur shumë konflikte gjyqësore me Policinë Gjyqësore për shkak të shkeljeve të të drejtave të punonjësve të Policisë. Kjo është ajo që nuk e dëshirojmë të zgjidhim problemet me konflikte por t’i zgjidhim me negocimin në përputhje që ka ligji.
E jo thjesht vendimmarrjet të vihen në shkelje të ligjit. Duhet të jenë korrekt me ligjin, të zbatojnë detyrimet sipas ligjit cilado palë të jetë dhe të jenë bashkëpunues dhe njëkohësisht të kenë vetinë që të jetë bashkëpunues dhe të ketë sukses në menaxhimin e Policisë, pasi ai ka mundësitë se ka mbaruar dhe shkollat në këtë profil. Dhe të bashkëpunojë në grup për të patur sukses në Policinë e Shtetit me sa më pak urdhëra politik e sa më shumë urdhëra ligjor. Të bëj më shumë përpjekje që të realizoj e sidomos ne si Sindikatë, të drejtat e punonjësve të Policisë, si një nga pikat kyçe për të rritur performancën në punë e duhet ta shohin me përparësi e sidomos te efektivët që janë në varësi që nga polici i thjeshtë e deri te polici i gradave të larta.
-Është miratuar rregullorja në zbatim të ligjit të ri për policinë për hapjen e garës për drejtuesit e rinj të qarqeve. Ministri Hoxha do t’i dërgojë rregulloren Këshillit të Ministrave për miratim. Miratimi hap garën duke përcaktuar rregullat e konkurrimit. Kryesore është gara për 12 drejtoret e rinj vendorë. Në drejtorinë e Përgjithshme do të ngrihet një komision vlerësimi. Kandidatët do të dërgojnë aplikimet në drejtorinë e përgjithshme. Drejtorët e qarqeve do të kenë mandat 3-vjeçar. Si e shihni procesin e zgjedhjes së drejtorëve të rinj të policisë në qarqe? Çfarë kritere konsideroni më të rëndësishme në këtë proces?
