Pa ndonjë surprizë të madhe Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën për pezullimin e dënimit të ish deputetit Ervin Salianji duke thelluar edhe më tepër instalimin e dy standarteve të drejtësisë së re atlantiste. Interesant në këtë akt nuk është vendimi i pritshëm i gjykatësve, por argumentat e mbrojtjes që ata kënë hedhur poshtë. Në 12 faqet që avokatët kishin depozituar tek togat e zeza “më të kualifikuara të vendit”, një pjesë të rëndësishme e zinte krahasimi diskriminues midis ndërprerjes së mandatit të një të zgjedhuri nga populli, që i përkiste opozitës dhe mbetjes në parlament të një të ngjashmeje të tij që i takonte qeverisë. Paralelet hiqeshim me rastin e ish ministres së jashtme Olta Xhaçka. Pa qenë në gjendje të gjykoj se sa efekt mund te kenë këto argumenta nga ana juridike, mendoj se shqyrtimi i tyre, jep për publikun e gjërë, një pasqyrë ulëritëse të kritereve të dyfishta që janë instaluar në ketë vend.
Le ti marrim me radhë. Ndonëse Gjykata Kushtetuese, një herë bëri pirueta për të ndihmuar mazhorancën, ndërsa herën e dytë e detyroi me vendim parlamentin që të votonte për ti shpënë asaj rastin e “investitores strategjike”, kjo e fundit është ende e pa shqetësuar në parlament. Mandati i saj vijon pa të keq dhe me siguri kështu do të jetë deri në fillimin e fushatës së ardhshme. Nga ana tjetër Ervin Salianjit i’u dogj pa një pa dy mandati që i dhanë zgjedhësit në 2021-shin, ende pa pritur qoftë dhe zbardhjen e vendimit, por duke u mjaftuar vetëm me dizpozitivin.
Së dyti, deputetja e PS e mban detyrën, ndonëse kryebashkiaku që dha truallin në të cilën u implikua emri i saj u burgos nga SPAK për korrupsion. Nga ana tjetër homologu i saj u zhvesh prej saj dhe përfundoi në burg vetëm prej “rrëfimit” të një dëshmitari të përpunuar dhe të paguar nga policia e Fierit.
Së treti, me faj ose jo, Xhaçka akuzohet se ka përfituar nga detyra dhe se ka vepruar në konfikt interesi, ndërsa kolegu i saj opozitar, në mirë apo në keq besim, ka pasur si qëllim interesin publik, duke dashur të pengojë një trafikant që të përfitonte nga të pasurit e vëllait ministër të brendëshëm. Pra ai që denoncon e pëson, ndërsa ai që abuzon është i nderuar.
