Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka thënë se ka në plan të vizitojë Libanin dhe ka kërkuar garanci sigurie për trupat e vendit të saj atje, pas një sërë sulmesh nga Izraeli ndaj paqeruajtësve të OKB-së.
“Tashmë është planifikuar që unë të shkoj në Liban”, i tha ajo senatit italian, por pa dhënë një datë
Pesë paqeruajtës janë plagosur nga sulmet që kur Izraeli filloi një fushatë tokësore kundër Hezbollahut, për shumicën e të cilave u fajësuan forcat izraelite.
Italia ka 1000 trupa të dislokuara në misionin e OKB-së, të njohur si Unifil, dhe në një mision të veçantë të njohur si Mibil, i cili trajnon forcat e armatosura lokale, duke e bërë atë kontribuesin e dytë më të madh pas Indonezisë.
“Ne besojmë se qëndrimi i forcave izraelite është krejtësisht i pajustifikuar,” i tha Meloni senatit, duke e përshkruar atë si një shkelje të hapur të një rezolute të OKB-së për përfundimin e armiqësive midis Hezbollahut dhe Izraelit.
Meloni tha se veprimet e Izraelit nuk ishin të pranueshme dhe se ajo ia kishte shprehur këtë qëndrim homologut të saj izraelit, Benjamin Netanyahu, në një telefonatë. Meloni është konsideruar si një nga aleatët më të fortë të Izraelit në Evropë, së bashku me Gjermaninë, megjithëse ajo ka bërë vazhdimisht thirrje që Izraeli të respektojë ligjin humanitar.
Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe lëshuan gjithashtu një deklaratë të përbashkët të hënën duke bërë thirrje që të respektohet roli i paqeruajtësve të OKB-së. Duke kujtuar se çdo sulm i qëllimshëm kundër paqeruajtësve ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, ata i bënë thirrje Izraelit dhe të gjitha palëve, të respektojnë detyrimin e tyre për të garantuar në çdo kohë sigurinë e personelit të Unifil dhe për të lejuar këtë të fundit të vazhdojë të kryejë mandatin e saj.
Dy sektorët që përbëjnë misionin e OKB-së, sektori perëndimor dhe sektori lindor, udhëhiqen respektivisht nga Italia dhe Spanja. Kontribuesit më të mëdhenj jo-BE janë Indonezia, India, Gana dhe Malajzia. Irlanda ka 370 trupa.
