Negociatat e integrimit me Shqipërinë, BIRN: BE konsideron luftën kundër korrupsionit ende e pamjaftueshme

Data

Pozicioni negociues i Bashkimit Evropian me Shqipërinë vëren se Brukseli e konsideron suksesin e deritanishëm në luftën kundër korrupsionit të pamjaftueshëm dhe bën thirrje për “përmirësime domethënëse” në çështjen e lirisë së shprehjes.

Shqipëria dhe Bashkimi Evropian mbajtën të martën në Luksemburg konferencën e dytë Ndërqeveritare, që shënon dhe çeljen e grup-kapitullit “Themeloret” në negociatat për anëtarësim.

Péter Szijjártó, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Hungarisë, e cila mban presidencën e radhës dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, e konsideruan këtë moment një hap të rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por për të ardhmen e zgjerimit të Unionit.

“Pesëmbëdhjetë vjet pritje është e papërshtatshme, na duhet të përshpejtojmë procedurën e zgjerimit tani,” tha ministri hungarez, duke folur gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Kryeministri Rama e cilësoi këtë moment si “një gur themeli historik në rrugëtimin e përbashkët drejt ribashkimit tërësor europian” dhe tha se ky është i vetmi plan për të ardhmen e Shqipërisë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Rama shpalli ambicien për ta përmbyllur deri në vitin 2030 procesin.

Qeveria shqiptare kërkon integrim të përshpejtuar për disa kapituj, ku përfshihet funksioni i institucioneve demokratike; reforma në Administratën Publike; Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore; Drejtësia, Liria dhe Siguria si dhe Prokurimet Publike.

Por sipas pozicionit negociues të Bashkimit Evropian, i cili u bë publik, Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë në lidhje me luftën kundër korrupsionit, me lirinë e medias apo me regjistrimin dhe transparencën e pronësisë.BE nënvizon gjithashtu se ecuria e ekonomisë shqiptare ka qenë “nën potencial” dhe konvergjenca, pra afrimi i nivelit ekonomik të Shqipërisë me mesataren e BE-së, është “i ngadaltë”.

Kritikat më të mëdha lidhen me zhvillimin në dukje më domethënës të viteve të fundit, luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, me disa ministra dhe dy dyzina me zyrtarë të lartë të akuzuar apo të dënuar, përfshirë një ish-zëvendëskryeministër dhe një ish-kryeministër. Ndërsa këto zhvillime duken të mëdha në krahasim me pothuajse zero të dënuar më parë, për zyrtarët e Brukselit rezultati është jo më shumë se sa inkurajues, por gjithsesi “i pamjaftueshëm”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related