Një ish-oficer i policisë sekrete të Gjermanisë Lindore është dënuar me 10 vjet burgim për vrasjen e një polaku që tentoi të arratisej në Berlinin Perëndimor 50 vjet më parë.
Burri, i quajtur Martin Manfred N në dokumentet e gjykatës, tani është 80 vjeç. Ai kishte qëlluar Czeslaë Kukuczka në shpinë, në stacionin Friedrichstrasse në vitin 1974, pasi kishte hyrë në ambasadën polake duke pretenduar se mbante një bombë dhe duke kërkuar që të lejohej të largohej në Gjermaninë Perëndimore demokratike, raporton BBC.
Detajet e vrasjes mbetën të panjohura për dekada pasi policia sekrete e Stasit dëmtoi dosjet në lidhje me rastin përpara se Gjermania Lindore komuniste të ribashkohej me Perëndimin në vitin 1991.
Prokurorët e Berlinit ngritën akuza kundër tij në vitin 2023 pas hetimeve të vazhdueshme nga historianët dhe autoritetet polake.
Më 29 mars 1974, 38-vjeçari Kukuczka, një zjarrfikës, kishte hyrë me një çantë në ambasadën polake në bulevardin Unter den Linden të Berlinit Lindor.
Babai i tre fëmijëve kishte deklaruar rrejshëm se mbante një bombë. Ai kishte kërkuar të lejohej të largohej për në Berlinin Perëndimor.
Oficerët e Stasit i kishin dhënë një vizë daljeje dhe e kishin shoqëruar në stacionin Friedrichstrasse.
