“Shqipëria nuk bëhet nga politikanë frikacakë!”, aktivistja ‘shpërthen’ ndaj Sokos dhe Lapajt: Retorika përjashtuese

Data

Aktivistja Xheni Karaj ka reaguar ndaj deklaratave të Pano Sokos dhe Adriatik Lapajt, të cilët pretenduan se bashkia po ofron kredi të butë për strehim në këmbim të identifikimit si LGBTI. Karaj e ka quajtur këtë informacion si të pavërtetë dhe ka theksuar se ndihmat për individët e komunitetit LGBTI janë të parashikuara në Ligjin Nr. 22/2018 për Strehimin Social, i cili ofron mbështetje për ata që janë viktima të dhunës dhe diskriminimit për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor.

Ajo thekson se kjo ndihmë është e dedikuar për qytetarët që përballen me kushte të pafavorshme ekonomike si pasojë e dhunës dhe diskriminimit sistematik. Duke iu përgjigjur kritikave të Sokos, që kishte pyetur “Pse duhet të paguhen me taksat e mia këto persona?”, Karaj thekson se paratë e taksapaguesve duhet të përdoren për mirëqenien e të gjithë qytetarëve, përfshirë komunitetet e margjinalizuara.

“Programet sociale që mbështesin personat LGBTI janë të ngjashme me ato që ndihmojnë gratë, fëmijët dhe pakicat e tjera,” deklaron Karaj. Ajo thekson se kundërshtimi i mbështetjes për personat LGBTI është në kundërshtim me vlerat e barazisë dhe drejtësisë që formojnë shoqërinë tonë.

Reagimi i Karajt:

Përgjigje Pano Soko dhe Adriatik Lapaj

Shqipëria nuk bëhet nga politikanë frikacakë!

Nisma Thurje pretendon se po i the bashkisë që je LGBTI, fap të jep kredi të butë për strehim. Kjo është e pavërtetë.

Që nga viti 2018, është në fuqi Ligji Nr. 22/2018 për Strehimin Social, ku në Nenin 16 të këtij ligji thuhet qartë: Ndihmohen individët që i përkasin komunitetit LGBTI DHE që janë viktima për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor, bazuar në vendimet e organeve kompetente, sipas legjislacionit për mbrojtjen nga diskriminimi.

Pra, përfitojnë nga kjo politikë ata qytetarë LGBTI që janë subjekt i dhunës dhe diskriminimit sistematik – të faktuar nga raporte në polici dhe organe kompetente – për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor dhe që, si pasojë, ndodhen në kushte të pafavorshme ekonomike dhe sociale. Këtu përfshihen persona LGBTI të dhunuar dhe përzënë nga shtëpitë nga familjarët e tyre, apo ata që nuk mund të gjejnë punë për shkak të diskriminimit dhe nuk kanë mundësi të sigurojnë të ardhura për nevojat bazike, siç është strehimi.

Në vijim, dua të adresoj një tjetër koment të bërë nga Pano Soko, gjithashtu përfaques i Nismës Thurje, i cili pyet: “Pse duhet të paguhen me taksat e mia këto persona?” dhe përmend “shenjtërinë e familjes,” duke sugjeruar se ekzistenca e personave LGBTI është kërcënim për familjen.

Duhet të kujtojmë se paratë e taksapaguesve përdoren për mirëqenien e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe komunitetet e margjinalizuara. Programet sociale që synojnë të sigurojnë një jetë me dinjitet për personat LGBTI nuk janë ndryshe nga ato që mbështesin gratë, fëmijët, personat me aftësi të kufizuara, apo pakicat racore dhe etnike. Kundërshtimi ndaj pjesëmarrjes së personave LGBTI në këto programe bie ndesh me vlerat e barazisë dhe drejtësisë mbi të cilat është ndërtuar shoqëria dhe sistemi ynë demokratik.

 

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related