Tirana, Beogradi, Ankaraja, Moska dhe Budapesti po shpresojnë për një fitore të ish-presidentit Donald Trump në zgjedhjet që do të mbahen muajin tjetër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që nga viti 1926 e deri sa u zgjodh Trump si president i SHBA, të gjitha shërbimet sovjetike në fillim dhe ato ruse më pas, e deri më sot, kishin bërë çmos që të kapnin një president amerikan e ta vinin në shërbimin e tyre. Ia arritën me në fund qëllimit, pas 90 vjetësh, me Donald Trump, por skenari i rusëve u prish dhe ardhja në pushtet e Joe Biden po nxjerr në pah shumë pazare të fshehta mes Trump dhe Vladimir Putinit, ku libri i ri i Boib Udrvard, mes burimeve anonime, zbuloi se Trump ka folur 7 herë në telefon me Putin, nga Mara Lago,në kohën pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë. Moska zyrtare e ka pranuar se Putin dhe Trump kanë folur. Po ashtu edhe një artikull i medias amerikane New York Times ka nxjerrë disa muaj më parë marrëveshjen sekrete mes dy politikanëve në vitin 2016 për lejimin e pushtimit të Ukrainës nga Putini në këmbim të ndërhyrjes ruse për të marrë Trump drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.
Shpresat e Ramës
Demokracia e SHBA, por edhe gjithë bota do të jetë në rrezik nëse Trump merr drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, veçanërisht në një klimë politike përçarëse si kjo aktuale, me luftën në Ukrainë, apo dhe situatën e Lindjes e Mesme nëpër këmbë dhe goditjes madhore që politikat e Biden po ndjekin për të zhdukur korrupsionin në botë. Në rrethin e kuq për SHBA është dhe Ballkani Perëndimor, i cili shihet me prioritet për amerikanët dhe kjo është parë nga masat që ata kanë marrë për të kufizuar pushtetin e disa liderëve të korruptuar duke i shpallur “Non Grata”. Në Shqipëri dhe Serbi, SHBA ka qenë shumë të ashpër. Në vendin tonë, amerikanët përveç “listës së zezë” kanë nën mbikëqyrje dhe patronazh SPAK, i cili po çon pas hekurave personazhet që konsideroheshin të paprekshëm. I rrezikuar është dhe Edi Rama, i cili ka dosje të hapura me drejtësinë. Nga ana tjetër, kryeministri shqiptar prej kohësh po manifeston një lloj ngërçi me politikën zyrtare amerikane në Shqipëri, ku herë pas here ka shigjetuar ambasadën amerikane për politika ndërhyrëse.
Gazeta “SOT” kohët e fundit ka paraqitur disa fakte të pakontestueshme që tregojnë qartë se raportet mes Ramës dhe SHBA diku janë thyer. Rama shpreson për një fitore të Trump pasi kriza aktuale që ka me administratën Biden, mund ti ndërpresë mandatin. Menjëherë pas takimit me Erdogan, ai shkoi dje të takonte kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban. Qeveria e Orban është në konflikt me të gjithë aleatët e BE-së dhe SHBA, sepse tregon një tendencë të tepruar për të mbrojtur interesat e Rusisë. Qartë kjo strategji e ndjekur nga Rama, tregon se shefi i qeverisë shqiptare nuk i ka punët mirë me SHBA. Rama po thellon miqësinë me putinianët dhe trumpistët, sikundër janë Erdogan, Orban dhe presidentin serb Vuçiç, i cili po i vë zjarrin Veriut të Kosovës, ndërsa kreu i qeverisë shqiptare ka bërë rolin e avokatit të tij mbrojtës kundër shqiptarëve.
Shpresat e Vuçiç
Një fitore e Donald Trump i rregullon shumë punë Vuçiçit, pasi politikat e të forta të administratës “Biden” për njohjen e Kosovës me çdo kusht dhe shkëputjes nga influenca ruse si edhe orientimin e qartë drejt BE së fundmi e kanë vendosur në një pozicion shumë të vështirë përpara serbëve. Joe Biden, thotë qartë se SHBA mbesin të palëkundura në qëllimin për të mbështetur integrimin evropian të Serbisë. Por ai kërkon nga Vuçiç edhe reforma si dhe arritjen e një marrëveshjeje me Kosovën, e cila do të përqendrohej tek njohja e ndërsjellë.
