Pas rregullores që do të shtrëngojë kredinë konsumatore të sektorit të mikrofinancës, Banka e Shqipërisë pritet të miratojë në tremujorin e fundit të vitit masa të reja, me qëllim forcimin e mbrojtjes konsumatore.
Javën e kaluar, Banka e Shqipërisë miratoi, me një procedurë të përshpejtuar, ndryshimet në rregulloren “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka”.
Ndryshimet në rregullore pritet të sjellin një shtrëngim të ndjeshëm në procedurat e huadhënies së këtyre institucioneve dhe veçanërisht në produktet e kredive të shpejta, të bazuara në praktika të modelit fintech.
Këto ndryshime erdhën në kuadër të paketës së ndryshimeve rregullative për mbrojtjen e konsumatorëve, si reagim i Bankës së Shqipërisë ndaj disa çështjeve të hasura në tregun ku këto institucione operojnë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, ndryshimet parashikojnë përfshirjen e disa kërkesave të shtuara për vlerësimin e aftësisë paguese të kredimarrësve në kontratat e kredive konsumatore për subjektet financiare jobanka në veprimtarinë e kredidhënies dhe për institucionet financiare të mikrokredisë, përfshirë edhe detyrimin për subjektet që përpara dhënies së një kredie dhe gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj të kryejnë vlerësimin e aftësisë paguese të konsumatorëve, bazuar në të dhëna dhe informacione të mjaftueshme, të sakta dhe të përditësuara, të cilat duhet të verifikohen në mënyrë të arsyeshme nga subjekti.
