Dy senatorë amerikanë, njëri nga Partia Republikane dhe tjetri nga Partia Demokrate, po bëjnë përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje që administrata e Presidentit Joe Biden njoftohet ishte afër realizimit: lidhjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të Izraelit dhe Arabisë Saudite.
Administrata e Presidentit Biden ka propozuar që në shkëmbim të vendosjes s marrëdhënieve med dy vendeve, Uashingtoni do t’i ofronte garanci sigurie Arabisë Saudite.
Pas Izraelit, Senatorët Lindsey Graham dhe Richard Blumenthal, do të shkojnë në Arabinë Saudite.
“Ne mund t’ju ofrojmë një marrëveshje të sigurisë përmes Senatit, të ngjashme me atë që kemi me Japoninë dhe Australinë. Kjo duhet të kryhet gjatë administratës së Presidentit Biden pasi presidenti i ardhshëm do ta kishte shumë të vështirë të siguronte 67 votat e nevojshme për miratim”, tha Senatori republikan Lindsey Graham.
“Tani jemi para një mundësie historike. Kjo vërtetë do të ishte një arritje e mrekullueshme me ndikim afatgjatë…”, tha Senatori demokrat Richard Blumenthal.
Emiratet e Bashkuara janë vendi i fundit arab që lidhi marrëdhënie diplomatike me Izraelin në vitin 2020, gjatë administratës së Presidentit Donald Trump.
Sulmi i Hamasit, grup militant që Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian e kanë shpallur organizatë terroriste dhe lufta që pasoi në Gazë, rikthyen në vëmendje kërkesën palestineze për pavarësi.
Senatorët amerikanë, Graham dhe Blumenthal pajtohen se palestinezët duhet të kenë të drejtën për vetëvendosje, por shtojnë se sulmi i Hamasit, e ka bërë të pamundur momentalisht zgjidhjen e konfliktit përmes krijimit të dy shteteve.
