Niko Peleshi është një nga pjesëtarët e ekipit që kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të shkojë për zgjedhjet e 2025. Ai është drejtues politik i qarkut Korçë. Por hijet, misteret dhe skandalet që e rrethojnë Peleshin janë të shumta. Le ta fillojmë me paraqitjen e tij para SPAK. Veç marrjes në pyetje disa muaj më parë, nuk ka asnjë masë ndaj Peleshit. Por nuk përjashtohet që kjo gjë të ndodhë në vijim. Fotoja me bosët e inceneratorëve në Itali nuk është një rastësi sipas SPAK, por një plan biznesi ku Mirel Mërtiri e Klodian Zoto fitonin miliona lekë me investimin në ujësjellës. Peleshi bie në kontraditë me ish-vartësin e tij drejtor ujësjellësi, lidhur se me kë kanë udhëtuar drejt Italisë dhe kush i pagoi faturat.
Detajet zbardhen në dosjen hetimore ndaj Klodian Zotos, ku pasqyrohet gjithë aktiviteti i tij dhe lidhjet për të përfituar tendera e koncesione, falë afrimitetit dhe bashkëpunimit me Mirel Mërtirin e aktor të rëndësishëm të kabinetit qeveritar. Niko Peleshi, dyshohet se ka udhëtuar e ndarë dy ditë në Itali me Zoton e Mërtirin. Një foto e tyre se bashku me Arben Ahmetajt, Petrit Taren e Ujësjellësit të Korçës e italianit Francesço Pistritto dyshohet se është vetëm një pjesë e skemës ku u gatuan tenderat që do merrnin bosët e inceneratorëve nga disa kryebashkiakë lidhur me ujësjellësit. Niko Peleshi kur fluturoi nga Rinasi drejt Italisë në datat 13 dhe 14 prill 2013, së bashku me Taren për të parë sesi aplikohej zbatimi i impianteve fotovoltaike. Ndonëse Peleshi në dëshminë e tij thotë se nuk mban mend nëse në avion ka qenë bashkë me Zoton, të kundërtën thotë ish-drejtori i tij Petrit Tare.
Mashtrimi i Peleshit
Peleshi bie në kundërshtim me faktet, duke deklaruar se drejt Italisë kishte udhëtuar vetëm me Petrit Taren i cili i kishte prezantuar projektin e impiantit fotovoltaik duke i treguar se investimi do kryhej nga investitorë privatë dhe jo nga kreditë e bankës gjermane siç kishte ndodhur zakonisht me projekte të tilla. “Drejtori Petrit Tare më tha se nuk do ta financonin si deri atëherë ishin financuar projektet e ujësjellësit, pra përmes kredisë së Bankës Gjermane, por me një financim nga investitorët private. Mesa më kujtohet duhet të ketë qenë para zgjedhjeve të vitit 2013, ndoshta nga pranvera e këtij viti, kur jam nisur bashkë me Petritin, për në Itali. Udhëtimi është kryer me avion. Nuk më kujtohet të ketë qenë me ne ndonjë person tjetër përveçse unë me Petritin. Në këtë kohë, oferta ishte dorëzuar pranë UKKO-së dhe Petriti më tha që të shkonim në Itali,” tha ai. Por Petrit Tare thotë ndryshe, se në avion me ta ka qenë edhe Klodian Zoto dhe se ky i fundit u kishte paguar biletat dhe më pas i kishte transportuar me makinën e tij nga aeroporti drejt hotelit ku do qëndronin.
“Në këtë vizitë kam udhëtuar me shtetasin Klodian Zoto dhe Niko Peleshi, nga Tirana nëpërmjet Rinasit në drejtim të Barit. Më pas atje kemi udhëtuar me makinë me qera për në Romë. Makinën e ka paguar Klodiani, i cili kur zbritëm në aeroportin e Barit, vajti mori makinën dhe erdhi na mori të gjithëve. Biletën time të avionit e ka paguar shtetasi Klodian Zoto ndërsa për shtetasin Niko Peleshi, nuk më kujtohet. Rrugës për në Romë kemi pare impiante fotovoltaikë. Në udhëtimin nga Bari për në Romë ka qenë prezent dhe shtetasi Mirel Mërtiri, por nuk më kujtohet se ku jemi takuar fillimisht. Nëse ka ardhur që nga Rinasi a jemi në takuar në Bari këtë nuk e mbaj mend”, ka dëshmuar Tare i cili tregon gjithashtu se nuk ka paguar ai për darkën në restorantin ku shfaqet në foto me Peleshin dhe Mërtirin.
