Raporti i ‘frikshëm’ i SCIDEV: Paditë dhe sulmet ndaj gazetarëve në rritje

Data

Gazetaria e pavarur dhe liria e shprehjes në Shqipëri është nën kërcënim të vazhdueshëm, ndërsa mediat janë shpesh herë të kapura nga interesa të ngushta politike dhe ekonomike.

Ky përfundim është nxjerrë në pah nga një raport i botuar së fundmi nga dy qendra të pavarura që merren me studimin e medias, të cilat kanë përmbledhur me shqetësim rritjen e padive dhe sulmeve ndaj gazetarëve.

Raporti i botuar nga qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) dhe Observatori i Ballkanit dhe Kaukazit Transeuropa (OBCT) nxjerr në pah faktin shqetësues të shtimit të padive ndaj gazetarëve.

Kështu, sipas raportit, gjatë vitit të shkuar, deri në muajin korrik 2024, janë raportuar 43 padi ndaj gazetarëve apo punonjësve të mediave, ku 38 prej tyre ishin regjistruar në Gjykatën e Tiranës.

Paralelisht gjatë kësaj periudhe kishte 28 çështje në Apel dhe dy të tjera në Gjykatën e Lartë.

Kjo atmosferë ka ndikuar negativisht mbi cilësinë e gazetarisë hulumtuese, pasi shumë media janë nën presion që të mbulojnë ose të mos mbulojnë lajme të caktuara.

“Një numër i madh padish ligjore kundër gazetarëve është përdorur si një mjet për t’i heshtur ata. Gjykatat janë shpesh të ndikuara nga politika dhe biznesi, duke e bërë mbrojtjen ligjore të gazetarëve jashtëzakonisht të vështirë”, citohet në raport.

Shqipëria nuk ka regjistër elektronik për çështjet ndaj gazetarëve, ndonëse sistemi aktual i Gjykatës së Tiranës e lejon një kategorizim të tillë, siç shpjegohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Në raportin e tyre SCiDEV dhe OBCT konsiderojnë autocensurën si një ndër problematikat më shqetësuese të lirisë së medias në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related