Gazetari Denis Dyrnjaja, i ftuar në një studio televizive, ka komentuar aksionin e opozitës jashtë kuvendit për të cilin u shpreh se kjo që ata bëjnë tregon se PD nuk ka një alternativë konkrete për shqiptarët.
Ai tha se shoqëria është emancipuar për të kuptuar të drejtën nga mashtrimi, prandaj qëndrimet e opozitës nuk i bindin qytetarët. Sipas tij, opozita e sotme nuk ka ‘moral’ për të mbrojtur interesat e publikut.
“Sot ishte ditë dinamike. Është një skenar i parashikuar nga PD në axhendën e saj për të bllokuar parlamentin në shenjë revolte. Natyrisht në shterpësinë e saj politike dhe shurdhërinë që maxhoranca ka, ky momenti Salianjit duket si një impuls i ri i opozitës e cila s’ka një ofertë politike konkrete për shqiptarët në zgjedhjet e 2025 dhe ridrejtohet për të shumtën herë te këto simbolet e forcës dhe pretendimet për të ushtruar njëlloj presioni.
Është në të drejtën e saj zgjedhja që ka bërë opozita, por mendoj se ditët si kjo e sotmja do të jenë më të gjata gjatë këtij viti elektoral, kështu që deri për zgjedhje mendoj se do jetë kjo situatë tensioni që opozita mendon se do i sjellë rezultat, mund dhe të ndodhë të krijojë efekt, por vetë e kam të vështirë të pranoj se deputetët e zgjedhur nga populli të djegin në parlament karrige, por janë aty për të goditur me teza dhe ide.”
Sa i përket protestës, Dyrnjaja shtoi se qytetarët nuk kanë nevojë për orë takimi apo përcaktim axhende sepse nëse ata kanë revoltë ndaj qeverisë dalin vetë. Sipas tij kjo është një parti e mbaruar që s’ka as koncept, as vizion, as koncept që di të bëjë vetëm sherre dhe nuk ja mbush dot njerëzve me kaq.
