Zëdhënësja e PD- Demokratët Euroatlantikë, Mirela Karabina, e ftuar në një emision televiziv, foli mbi zhvillimet e fundit politike.
Sipas Karabinës, prej muajsh Rilindja dhe Rithemelimi po e orientojnë qëllimisht debatin vetëm rreth “vlefshmërisë” së drejtësisë SPAK, pasi janë nën hetim dhe të frikësuar nga ndëshkueshmëria.
“Opozita që të fitojë besimin qytetar duhet të jetë e vërtetë, koherente dhe e qëndrueshme në ide e strategji veprimi dhe të ketë prioritet qytetarët.” – u shpreh ajo.
Zëdhënsja euroatlantikase ka folur edhe për protestën e thirrur nga PD e Berishës, duke thënë se ajo nuk bëhet për hallet e njerëzve, por në kërkim të pazarit të radhës.
Ajo foli edhe për rastin e deputetit Salianji, sipas së cilës, është pjesë e paktit Rama-Berisha, “më jep vulën, të japë Salianjin”.
Demokratët Euroatlantikë mbështesin shtetin ligjor dhe të së drejtës. Ne mbështesim pa asnjë rezerve drejtësinë SPAK e GJKKO dhe luftojmë për lirinë e mendimit dhe veprimit.
Ky moçal politik ka uzurpuar debatin publik me qëllim për hallet e veta dhe pa asnjë llogaridhënie, ndërkohë që: nxënësit kërkojnë arsimim të mirë, shkollë e mësues në zona rurale dhe ato urbane; të sëmurët kërkojnë mbështetje në shërbime dhe rimbursime ilaçes; çmimet e ushqimeve më të shtrenjta se në Gjermani; të tetët në botë për çmimin e karburantit e shumë probleme të tjera që rëndojnë në jetën e qytetarëve dhe kërkojnë zgjidhje.
Qytetarët, të majtë e të djathtë sot e duan më shumë se kurrë ndëshkueshmërinë e politikanëve të korruptuar, të cilët shpopulluan vendin dhe në 34 vite mashtruan e shpërdoruan besimin e tyre.” – përfundoi Karabina.
