Deputeti demokrat Edi Paloka, kaosin dhe flakët e ndodhura pasditen e së hënës në parlament, e quan një reagim normal mbas situatës së krijuar.
I ftuar në një intervistë televizive, ai tha se përshkallëzimi ishte në projektet e opozitës dhe jo thjesht për çështjen e deputetit Ervin Salianji, për të cilin u shpreh se ishte një shkëndijë që iu dha kësaj situate që ishte e ndezur dhe priste të shpërthente.
Sipas tij, ajo që bën deputetët dje ishte një akt simbolik, por ajo që pritet të mos jetë thjesht simbolike është reagimi i qytetarëve në datë 7.
“Unë uroj që reagimi i tyre të mos jetë në përputhje me atë që bën kjo qeveri. Me një qeveri që ka kthyer diktaturën në Shqipëri nuk ka rrugë tjetër.
A fitojmë apo jo me këtë rrugë, kjo mbetet për tu parë. Këtu jemi në momentin ose reagojmë ose vdesim.
E kam fjalën për vdekje politike të pluralizmit dhe opozitës në Shqipëri.
Nuk do jem kurrë i shqetësuar për ata që bëjnë sikur reagojnë për djegien e 30 karrigeve dhe i lëpihen përditë Edi Ramës. Është çështje reagimi, ose reagojmë ose vdesim.
Shqetësohen për djegien e 30 karrigeve dhe nuk shqetësohen për vjedhjen e qindra milionë eurove.
Nuk shqetësohem fare se sa centimetër afër i kaloi druri i karriges Elisa Spiropalit, druri duhet të jetë mbi shpinën e qeveritarëve çdo ditë.
Ndryshe nuk ka zgjidhje. Nuk ka lidhje fare me aktet e djeshme. Ky realitet ndryshohet vetëm forcërisht, Rama nuk njeh rrugë tjetër.
Deputetët bëjnë akte simbolike, qytetarët nuk bëjnë vetëm akte simbolike.
Shkon në burg një deputet me dëshmitar falso, dosje të sajuar dhe me një akuzë që nuk ekziston në Kodin Penal.
Ditën që burgosi Salianjin, Edi Rama kërcënoi direkt Gaz Bardhin, për ti thënë që tjetri je ti. Bardhi u shantazhua në telefonin e tij.
