Çështja e të drejtave të konsumatorit është një çështje e zhvilluar prej dekadash. Sot, në Bashkimin Europian, ka një korpus mjaft të gjerë ligjesh dhe rregullash për mbrojtjen e konsumatorit.
Ky korpus e ka zanafillën në vitin 1975, kur Këshilli i Europës nxori programin e parë të posaçëm për politikën e mbrojtjes dhe të informimit të konsumatorit, si dhe në aktivizmin e fortë nga vitet ’70 të Parlamentit Europian.
Vetëdija në lidhje me të drejtat e konsumatorit, si të drejta bazë, filloi të formohej edhe më herët, kur presidenti i SHBA-së, Xhon Kenedi, evidentoi në mesazhin e tij drejtuar Kongresit Amerikan në mars 1962, katër të drejtat themelore të konsumatorit.
Prej kësaj periudhe, ligjet për mbrojtjen e konsumatorit janë zhvilluar në masë të konsiderueshme nën ndikimin e rritjes së tregtisë, pasurisë, globalizimit dhe forcimit të lëvizjes konsumatore.
Nga ana tjetër, çdo zhvillim dhe përpunim ligjesh, rregullash dhe veprimesh është ndërmarrë duke shqyrtuar me kujdes pasojat në zhvillimin e tregut, novacion dhe investime, duke shmangur rrëshqitjen në reforma populiste, të cilat mbivendosin nevojat praktike të politikës së ditës. E thënë më thjesht, duke ekuilibruar me shumë kujdes interesat e të gjithë palëve dhe duke e ruajtur këtë ekuilibër.
