Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha e ka përqendruar fjalimin e tij mbrëmjen e sotme në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’ në thirrjen për një betejë të vendosur kundër qeverisë së Edi Ramës, të cilën Berisha e quan “narkoregjim” dhe e akuzon për krim, korrupsion dhe shtypje.
Berisha vlerëson demokratët shqiptarë për rezistencën e tyre dhe thekson se beteja për zgjedhje të lira është një luftë për lirinë, dinjitetin dhe të ardhmen e Shqipërisë.
Sipas liderit demokrat, Sali Berisha, qeveria aktuale dhe drejtësia janë të kapura nga krimi, dhe Partia Demokratike është e vendosur të luftojë për një qeveri teknike, duke ftuar të gjithë shqiptarët të ngrihen në një betejë vendimtare për të rikthyer votën e lirë.
Berisha ka drejtuar thirrje për mobilizim masiv në datën 7 tetor, duke e quajtur këtë ditë si një betejë vendimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai thekson se kjo është “beteja e jetës sonë” dhe i kushton rëndësi rivendosjes së ligjit dhe Kushtetutës, duke denoncuar kapjen e shtetit nga krimi dhe korrupsioni. Kryetari i PD, Sali Berisha e paraqet 7 tetorin si ditën e drejtësisë, triumfit dhe fitores, dhe fton të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, të bashkohen në këtë betejë për të përmbysur “narkoshtetin” dhe për të mbrojtur lirinë dhe fatin e kombit.
Berisha gjatë tubimit qytetar ka drejtuar thirrje për mosbindje civile masive më 7 tetor, duke paralajmëruar se Tirana do të pushtohet nga qytetarët kundër qeverisë, të cilën ai e quan “vrima e miut e hajdutëve”. Berisha e përshkruan këtë ditë si një moment për triumf, guxim, revoltë dhe fitore të shqiptarëve. Berisha thekson se qytetarët kërkojnë aksion dhe janë të gatshëm për sakrifica, duke ftuar të gjithë të dalin në rrugë dhe sheshe për t’u bashkuar në këtë betejë kundër qeverisë dhe mafies.
Kryedemokrati e përfundon fjalimin me një thirrje për fitoren e Tiranës dhe Shqipërisë.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ju misionarëve të pamposhtur të kauzës së drejtë të dinjitetit, të lirisë, të shpresës dhe besimit të shqiptarëve,
Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të parlamentit të lirë të qytetarëve, që përcjellin çdo natë në zemrat dhe mendjet e qytetarëve shqiptarë të vërtetat e këtij regjimi që sundon me krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Të dashur miq, tre vite, një betejë epike e demokratëve shqiptarë për të qëndruar si opozitë e vërtetë e kombit dhe vendit të tyre.
Në tre vite, mafia e egër shqiptare, mafia ndërkombëtare, bëri gjithçka që Shqipëria, mobokracia e Edi Ramës të mos kishte një opozitë.
Qeveria e Edi Ramës kalonte nga krimi monstruoz në krimin tjetër monstruoz ndaj opozitës, ndaj shqiptarëve.
Qeveria e Edi Ramës kalonte nga një vjedhje monstruoze në një vjedhje tjetër.
Drejtësia e mercenarëve të Skapit të partisë vazhdonte ditë e natë pazarët me vrasësit, trafikantët, duke u zhytur çdo ditë e më shumë në krim dhe kriminalitet. Duke u shndërruar gjithnjë e më shumë në një peng të Edi Ramës, në një instrument të verbër kundër opozitës.
Por çdo ditë e më shumë, para shqiptarëve bëhej e qartë se beteja për votën e lirë, është betejë e jetës së tyre.
