Deputetët e Partisë Socialiste me urdhër të kryeministrit Edi Rama janë kthyer në një mburojë për deputeten Olta Xhaçka, duke votuar dy herë kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar mandatin e saj, teksa herën e fundit abstenuan dhe i kërkuan opinion Komisionit të Venecias për ta zvarritur çështjen.
Xhaçka akuzohet nga opozita se është në konflikt interesi, duke përfituar të mira publike, për shpalljen e bashkëshortit të saj, Artan Gaçi investitor strategjik nga Qeveria në kohën kur ajo ishte ministre e Jashtme.
Rasti është kthjellësisht i pastër dhe për precedentë të tillë Kushtetuesja i ka hequr më parë mandatin e deputetit, Ilir Beqjas dhe Koço Kokëdhimës.
Por, sipas deputetit socialist, Erion Braçe, Kushtetuesja është treguar joserioze me këtë çështje pasi e pranoi padinë e 25 deputetëve, e shqyrtoi dhe më pas e ktheu në parlament. Jo vetëm për këtë rast, por sipas Braçes, Kushtetuesja është treguar jo serioze edhe për rastin e taksimit të profesioneve të lirë.
Pra, socialistët sulmojnë drejtësinë dhe iu duket jo serioze vetëm për rastet kur vepron kundër tyre. E në fakt, Braçe ka të drejtë kur thotë se Gjykata Kushtetuese është jo serioze, por jo në atë kuptim që shprehet ai, por se gjyqtarët e Kushtetueses janë kthyer në “shërbëtorë” të Qeverisë, duke marrë një sërë vendimesh pro Ramës.
