Pas katër vitesh hetime intensive, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur hetimet për dosjen “Partizani”, teksa gazeta “SOT” ka mësuar se hetimet për gjyqin e shekullit pritet të nisin në muajin tetor. Avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi janë ftuar të paraqiten në SPAK për të firmosur mbylljen e hetimeve të mërkurën e kësaj jave (25 Shtator), para se çështja t’i dërgohet GJKKO-së për proces. Në 11 shtator, SPAK i komunikoi Berishës akuzën “korrupsion pasiv”, ndërsa dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi “korrupsion pasiv dhe pastrim parash”.
Një ditë me vonë, në dyert e SPAK u thirr edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, të cilit iu komunikua akuza “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” iu komunikua edhe Xhimi Begeja, si dhe financieres Andia Pustina, ortakë dhe lidhje në veprimtari procedurash me Malltezin. Ndërsa ndërtuesi Fatmir Bektashi u paraqit dje së bashku me avokatin mbrojtës për tu njohur me mbylljen e hetimeve. Do t’u komunikohen akuzat edhe ortakut të Malltezit Xhimi Begeja dhe financieres Andia Pustina. Afati i fundit i SPAK për mbylljen e hetimeve për privatizimin e ish-klubit sportiv Partizani ishte data 2 tetor. Hetimet për këtë çështje nisën katër vite më parë, pas kallëzimit të depozituar nga deputeti socialist Taulant Balla. Në muajin Tetor 2023 SPAK arrestoi Jamarbër Malltezin dhe mori nën akuzë ish-kryeministrin Sali Berisha, me masën “detyrim paraqitjeje”.
Për shkak të thyerjes së masës, më 30 Dhjetor 2023 GJKKO shtrëngoi masën ndaj Berishës, duke e izoluar me “arrest shtëpiak”, ku dhe ndodhet aktualisht. Malltezit iu zbut masa disa ditë pas ndalimit, nga arrest në burg, në atë shtëpiak. Berisha akuzohet se lejoi një zinxhir të tërë institucionesh që të shkelnin ligjin e Parlamentit për “mosndryshimin e destinacionit të terreneve sportive” dhe se “terrenet sportive nuk privatizohen”, duke ua kthyer ish-pronarëve, mes tyre edhe dhëndri i tij. Në pronat e ish-klubit u ndërtuan të paktën 19 kulla pallatesh, duke u siguruar një fitim të konsiderueshëm të pandehurve nga ky biznes që nisi me paligjshmëri.
Çfarë pritet të ndodhë?
Dosja “Partizani” do i kalojë Gjykatës së Posaçme për vlerësimin e akteve të dosjes në seancë paraprake, ku do vendoset nëse çështja do kalojë për gjykim apo do t’i kthehet përsëri SPAK-ut për hetime të mëtejshme, ose të pushohet sipas procedurave që parashikon edhe Kodi Penal. Prokuroria e Posaçme ka njoftuar se i ka mbaruar hetimet, u ka komunikuar akuzat të pandehurve, ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, ndërtuesve Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe noteres Andia Pustina. Sipas procedurave penale, pasi të hidhet firma dhe të ndahen aktet e dosjes për të pandehurit, materiali shkon në GJKKO. Aty hidhet shorti për gjyqtarin që do marrë çështjen për shqyrtim dhe do vlerësojë se si janë kryer hetimet nga SPAK dhe nëse ka parregullsi apo nevoja për plotësim.
Nuk do të jetë më gjyqtarja Irena Gjoka, ajo që e ka pasur dosjen deri tani, sepse kështu e parashikon procedura penale. Ajo për mëse një vit ka pasur dosjen e masave të sigurisë dhe akteve paraprake, duke lënë në arrest shtëpiak masat ndaj Berishës dhe Malltezit. Mësohet se gjyqtari për seancën paraprake do të zgjidhet me short elektronik dhe aty vendoset se si do të veprohet. Nëse gjyqtari pranon aktet e dosjes së SPAK, atëherë gjyqi cilësohet i çelur dhe nis shqyrtimi në themel me seanca në vijim dhe trup gjykuese.
