Fillimisht në një intervistë për gazetën amerikane New York Times dhe mbrëmë nga Selia e OKB-së, Kryeministri Edi Rama njoftoi “transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit shqiptar”.
Si çdo zhvillim të rëndësishëm që e marrim vesh përmes medias ndërkombëtare, edhe këtë herë lëvizja e Ramës duket e mirëmenduar pasi i paraprin javës së Tij në OKB. Pas fjalës që mbajti mbrëmë në “Samitin e së ardhmes” në Nju Jork, reagoi për herë të parë edhe Selia Botërore e Bektashinjve. Ajo e cilësoi menjëherë një “nismë të jashtëzakonshme”, që sipas saj do të sjellë “një epokë të re për tolerancën fetare globale dhe promovimin e paqes”.
Për këtë çështje u diskutua në A2 CNN, ku i ftuar ishte edhe ish-myftiu i Tiranës, Ylli Gurra. Ndër të tjera, ai tha se në një farë mënyre po i bëhet edhe karshillëk komunitetit mysliman.
“Kjo çon ujë në një ndarje të re, një diskriminim pozitiv ndaj Kryegjyshatës Botërore me myslimanët dhe bashkëvëllezërit tanë të krishterë. Jo unë personalisht, por asnjë besimtar i besimit mysliman në Shqipëri nuk ushqen dhe nuk duhet të ushqejë një lloj xhelozie, apo një dashakeqësi ndaj shtimit të numrit të një bashkësie tjetër në mënyrë të natyrshme. Në një rast si ky nuk është aspak rasti. Deri diku edhe karshillëk.”, tha Gurra.
Ndërkohë, ai ngriti dyshime në lidhje me një takim të para pak ditëve të Baba Mondit, nënkryetarit të Komunitetit Mysliman dhe Presidentit të Izraelit në Tiranë. Ai theksoi se ky takim lë shumë hije dyshimi.
