Universitetet e vogla dhe shkollat profesionale po orientohen së fundmi në Shqipëri drejt programeve për sektorin turistik. Hapja e degëve të reja synon të zbusë nevojat për punonjës, me të cilat po përballen sipërmarrjet. Në Gjirokastër interesimi të rinjve për këto programe ka nisur të rritet.
Prurjet turistike në Shqipëri po rrisin nevojën për shërbime, ndërsa shumë qytete të vogla janë në sfidë për punonjës prej përmasave të emigrimit të të rinjve jashtë vendit.
Gjirokastra, një qytet historik që mbrohet nga UNESCO, gjatë sezonit turistik nga maji në tetor pret mijëra turistë dhe ka gjithnjë e më shumë nevojë për shërbime të kualifikuara në këtë sektor.
Universiteti i Gjirokastrës po orientohet në programe të reja për tu përshtatur me këtë prirje të re zhvillimi, thotë Brikena Metaj, specialiste për marëdhëniet me publikun.
“Ne kemi disa programe studimi në Universitetin e Gjirokastërs që janë të fokusuara tek turizmi. Kemi bachelor në turizëm por kemi edhe programe të tilla duale me universitete italiane, si është ai me Universitetin e Molise ,“menaxhimi i turizmit të qëndrueshëm” ,një program i ri që zhvillohet në dy gjuhë dhe u jep mundësi të gjithë studentëve të diplomohen me një diplomë të dyfishtë duke ju krijuar më shumë hapësira të punësohen në sektorin e turizmit”, tregon ajo.
Zonja Metaj thotë se tani studentët po përfshihen krahas ndjekjes së studimeve edhe në tregun e punës dhe kjo i ndihmon ata ekonomikisht, por edhe sektorin turistik që ka nevoja të mëdha.
“Ne përpiqemi që t`i ndihmojmë dhe orientojmë studentët drejt këtij sektori. Kemi raste të strudentëve që ndjekin programe të tjera studimi brenda univeristetit tonë dhe njëkohësisht janë të punësuar edhe në sektorin e turizmit”, thotë ajo.
Krahas Universitetit edhe shkolla profesionale në Gjirokastër që dikur njihej si shkolla industriale po priret drejt sektorit trustik.
“Këtë vit është hapur drejtimi mësimor hoteleri turizëm”, thotë drejtoresha e shkollës Renata Puleri .
“Është hapur drejtimi i ri mësimor hoteleri -turizëm dhe ndërkohë ne ofrojmë drejtimet e tjera mësimore që kanë vite që kanë egzistuar në shkollën tonë si shërbim mjete transporti, teknologji informacioni dhe komunikimi, termo-hidraulikë dhe elektroteknikë”, thotë ajo.
Zonja Puleri thotë se kërkesat e tregut janë rritur kohët e fundit në sektorin turistik në Gjirokastër.
