Anëtari i Komisionit Rregullator, eksperti zgjedhor Dritan Caka thotë se në këtë moment jemi më afër se kurrë votës së emigrantëve për zgjedhjet e 2025.
I ftuar në një intervistë televizive, ai deklaroi se Kuvendi ia ka deleguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe më tepër Komisionit Rregullator, për të bërë të mundur detajet e votimit.
Caka tha se Kodi Zgjedhor ka përcaktuar se regjistrimi i gjithë bashkëkombësve që jetojnë jashtë duhet të bëjnë fillimisht një regjistrim pranë KQZ dhe se do të jetë KQZ ajo që do të administrojë kërkesat e shqiptarëve që jetojnë jashtë botës, dhe do të hartojë një listë të veçantë.
Ai bëri të ditur se KQZ është në detajet e fundit të hartimit të draftit që do të përcaktojë mënyrën se si do të regjistrohet dhe se maksimumi në dy javët në vazhdim do të ketë një mbledhje të Komisionit Rregullator për të miratuar këtë draft.
“Çdo qytetar që do të regjistrohet do ta bëjë këtë regjistrim online. Pranë KQZ, nëpërmjet një aplikacioni shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, do mund të aplikojnë për të qenë pjesë e listës së zgjedhësve.
Ka disa kritere si banesa që të kenë të regjistruar atje, disa dokumentacione, ID, apo adresën ku banojnë në mënyrë të përhershme.
Do të jetë një adresë zyrtare. Se në këtë adresë do ju shkojë edhe zarfi me fletën e votimit. Do të bëjnë një aplikim pranë këtij sistemi.
Qytetari pasi të ngarkojë gjithë dokumentacioni, do bëjë dhe kërkesën për të qenë pjesë e kësaj liste. Më pas KQZ do verifikojë dokumentacionin e qytetarit.
Më pas do bëhet edhe përcaktimi i zonës zgjedhore ku ky qytetar do të jetë zgjedhës.
Vota e tij do mund të numërohet në zonën zgjedhore ku është i regjistruar në Republikën e Shqipërisë.
