Dosje për SPAK, ja si Edi Rama me një të rënë të lapsit ndryshoi hartën territoriale të Tiranës dhe Kamzës vetëm për…

Data

Oligarkët, kartelet e korrupsionit dhe krimi i organizuar kanë kapur në çdo qelizë gjithë shtetin. Klientët e qeverisë, mashtrimit, vjedhjes dhe evazionit fiskal kanë akses te institucione të rëndësishme, deri te Kryeministria, me përjashtim të SPAK-ut. Një nga shembujt më ilustrues të këtij realiteti të zi janë lidhjet e errëta të oligarkëve me pushtetin, atë që gazeta ka disa kohë që ngre zërin duke denoncuar me fakte dhe dokumente.

Rasti konkret është dyshja Samir Mane-Edi Rama, të cilët bashkëpunojnë me njëri-tjetrin që paratë e tyre të shumëfishohen. Në artikujt e mëparshëm kemi shkruar se kryeministri ka krijuar ligje të posaçme për të favorizuar oligarkun, madje ai ka ndryshuar dhe hartën në mënyrë që rruga e shtimit të pasurisë nga ana e Manes të jetë e hapur dhe sa më e kollajshme. Po flasim për një dosje me fakte dhe dokumente që nëse hetohet nga SPAK trondit nga themelet Manen dhe Ramën.

Si u ndryshua harta?

Mënyra e taksimit për lejet e ndërtimit dhe të taksës së ndikimit në infrastrukturë është thuajse e njëjtë në Bashkinë e Kamzës dhe atë të Tiranës. Ajo që ndryshon është shuma që duhet të paguajnë ndërtuesit, që në bashkinë e kryeqytetit është dy herë më e lartë. Sipas Vox Neës, kjo duket se është arsyeja madhore se përse Samir Mane loboi në qeveri duke bërë që Edi Rama të ndryshojë hartën territoriale dhe përmes një vendimi të dyshimtë ligjor i ka hequr një pjesë të territorit Bashkisë së Tiranës, për t’ia kaluar Bashkisë së Kamzës. Bëhet fjalë për truallin ku Mane po ndërton kompleksin rezidencial “Univers City Residence”.

Sipas ndarjes territoriale me ligjin e 2015-s dhe një vendimi të Këshillit të Ministrave të dhjetorit të po atij viti, ky truall ishte pjesë e Bashkisë së Tiranës dhe e njësisë administrative Kashar, pra nën juridiksionin territorial të Bashkisë së Tiranës. Pavarësisht ligjit në fuqi të 2015-s, që ndan territorin në 61 bashki dhe VKM-së me numër 1078 e datës 23 dhjetor 2015, harta e Bashkisë së Kamzës është zgjeruar si xhep në truallin e Samir Manes me shkresën numër 5126/3, datë 21 nëntor 2020 që i ka dorëzuar Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi.

Ndërkohë, në Bashkinë e Tiranës, sipas vendimit Nr. 158, datë 26.12.2019 të Këshillit Bashkiak, leja e ndërtimit gjithashtu është 1 për qind e vlerës së investimit, por ajo që bën dallimin është taksa e ndikimit në infrastrukturë. Sipas pikës 2 të nenit 23 të vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kjo taksë është 8 për qind e çmimit të shitjes për metër/katror. Baza e taksës së ndikimit në infrastrukturë, si për Kamzën, ashtu edhe për Tiranën është vlera në lek për metër katror e çmimit të shitjes së ndërtimeve për qëllime banimi, apo të njësive të tregtimit dhe shërbimit.

Çmimi i shitjes për metër/katror bazohet në çmimet referuese të vlerës së tregut, sipas përcaktimeve të nxjerra me akt të Këshillit të Ministrave. Akti i fundit i përcaktimit të çmimeve të referencës nga Qeveria është i 2019-s, ku për zonën e Kasharit është rreth 500 euro për metër/katrorë, ndërsa në Kamëz rreth 450 euro për metër/katrorë për sipërfaqe shfrytëzimi. Siç shihet nga këto shifra, çmimi i referencës për metër/katrorë nuk ka aq diferencë sa të investojë Samir Manen që lobojë në qeveri dhe në mënyrë të paligjshme të ndryshojë hartën administrative të vendit dhe për efekt përllogaritjeje po e marrim sikur është 500 euro si në Bashkinë e Kamzës, ashtu edhe në atë të Tiranës për këtë zonë.

Taksa

Në këtë rast lapsi që ka ndryshuar koordinatat ndarëse mes dy bashkive i ka kursyer disa miliona të mira Samir Manes falë shmangies së taksës prej 8 për qind të ndikimit në infrastrukturë që do të duhej të paguante nëse do të ishte pjesë e Tiranës. Si shembull, për një metër katrorë që do të shfrytëzojë në “Univers City Residence”, Samir Mane do të paguajë 4 për qind të çmimit të referencës për çdo metër të shfrytëzueshëm në Bashkinë e Kamzës, ose rreth 20 euro taksë ndikimi në infrastrukturë. Por, nëse ndërtimi do të ishte në Bashkinë e Tiranës, taksa do të ishte dy herë më e lartë, pra 40 euro për çdo metër, gjithmonë duke marrë parasysh se çmimi i referencës është i njëjtë, pra prej 500 eurosh për metër/katrorë, megjithëse në Kamëz është më i ulët se kaq.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related