Konfiskime në letër, BIRN: Si u rikthye resorti luksoz në duart e familjes Balili

Data

Në nëntor të vitit 2017, dhjetra forca policore rrethuan me bujë resortin “Santa Quaranta” buzë detit të Sarandës në zbatim të një vendimi sekuestrimi të bazuar në ligjin “Antimafia”. I shtrirë në rreth 30 mijë metra katrorë, resorti që kishte shërbyer si kamp i Pushimit të Punëtorëve gjatë regjimit komunist, administrohej nga Bashkim Balili, vëllai i madh i Kelmend Balilit – i njohur si “Eskobari i Ballkanit” dhe i dënuar me 10 vjet burg në vitin 2019 për trafik ndërkombëtar narkotikësh.

Pas sekuestrimit, resorti “Santa Quaranta” shërbeu si aset i çmuar për Agjencinë e Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara, AAPSK në gjenerimin e të ardhurave. Por shtatë vjet më pas, resorti i është rikthyer pronarit të mëparshëm, Bashkim Balili, ndërsa AAPSK ndodhet në një proces gjyqësor për të përcaktuar se cila do të jetë pjesa e vet takuese prej 40% e godinës.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes dokumenteve gjyqësore tregojnë se rikthimi i resortit në duart e familjes Balili u mundësua nga një vendim i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i shtatorit 2020, i cili çliroi nga masa e sekuestros kompaninë që administronte resortin dhe konfiskoi në favor të shtetit vetëm 40% të objektit.

Në pritje të vendimit të gjykatës se cila pjesë e hotelit do t’i takojë shtetit, drejtori i AAPSK, Idriz Haxhiaj i tha BIRN se kishin arritur një marrëveshje me Balilin për dhënien e ambienteve me qira për 5 muaj gjatë sezonit veror, duke arkëtuar në favor të shtetit 12 mijë euro në muaj.

Haxhiaj shtoi gjithashtu se në kontratën e qiradhënies është përcaktuar se Balili merr përsipër ruajtjen dhe një qira mujore simbolike për pjesën tjetër të vitit, duke kursyer sipas tij për Agjencinë ruajtjen me polici private.

“Kjo marrëveshje u arrit pas dy vitesh vërdallosje, si dhe një procesi civil që vijon ende për përpjestimin në natyrë të pjesës ideale të secilit, 60% Balili dhe 40% shteti,” tha Idrizaj.

Resorti “Santa Quaranta” është vetëm një nga pronat e sekuestruara që i rikthehet pronarit të mëparshëm.

Për shkak të vendimeve gjyqësore të komplikuara në zbatim dhe mungesës së interesit nga individët dhe institucionet shtetërore për blerë apo përdorur pronat e konfiskuara nga krimi i organizuar, shumë prej tyre përfundojnë sërish në duart e këtyre grupeve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related