Beogradi zyrtar njoftoi se do të krijojë prokurorinë speciale për territorin e Kosovës, si një masë për mbrojtjen e “interesave jetike kombëtare të popullit serb” në Kosovë.
Është paralajmëruar të jetë si një prokurori për ndjekjen e abuzimeve dhe shkeljeve të të drejtave themelore të njeriut, uzurpimin e pronës, rrezikimin e integritetit trupor dhe dinjitetit të qytetarëve të Serbisë në Kosovë.
Kjo masë është shpallur krahas një sërë stimujsh financiarë për serbët e Kosovës dhe kërkesës për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri të saj dhe kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
Politologu Ognjen Gogiç njoftimin për prokurorinë për Kosovën e sheh si një nevojë për të balancuar masat e ndërmarra, të cilat i vlerëson kryesisht si financiare.
“Bëhet fjalë kryesisht për fuqizimin financiar të serbëve në Kosovë. Më duket se ishte e nevojshme që kjo të balancohej, që të tregojë se këto masa kanë disa dhëmbë, që mund të jenë edhe pak më të ashpra”, thotë ai.
Çfarë dihet deri tani?
“Duam të dimë përgjegjësinë e çdo personi që ushtron dhunë ndaj serbëve, ndaj pronës serbe”, tha kryeministri i Serbisë, Milosh Vuçeviç, më 14 shtator pas një mbledhjeje të Qeverisë.
Ai tha se prokuroria speciale do të ndjekë penalisht të gjithë autorët e veprave penale të lidhura me atë që po ndodh në Kosovë.
Në atë mbledhje, Qeveria e Serbisë i urdhëroi ministritë që të nisin aktivitetet për zbatimin e masave për “mbrojtjen ligjore dhe socio-ekonomike të serbëve në Kosovë, si dhe të interesave kombëtare të Serbisë”.
Një ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke paraqitur një sërë masash për Kosovën, tha se prokuroria speciale dhe dhomat gjyqësore të veçanta do të “ndjekin të gjithë ata që marrin pjesë në persekutimin e popullsisë serbe” në Kosovë.
