Përshpejtimi i ritmeve të rritjes së pagave vitin e fundit, sidomos i atyre që kërkojnë aftësi të ulëta pune, padyshim që është një lajm i mirë për ekonominë. Niveli i tyre i ulët kishte qenë një nga faktorët kryesorë që nxiti emigracionin masiv, sidomos të të rinjve, duke krijuar ngërç të vërtetë në tregun e punës.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në fund të tremujorit të parë, paga mesatare mujore bruto në ekonomi arriti në 73.6 mijë lekë, me rritje prej 13% me bazë vjetore.
Këto janë ritmet më të larta të paktën që prej vitit 2014, kur INSTAT i raporton të dhënat në serinë e vet kohore. Edhe në tremujorin e parë 2023, zgjerimi kishte qenë 9.2%, përkundrejt periudhave të tjera kur maksimumi arrinte në 5.7%, apo kishte qenë dhe negative apo afër zeros (T I 2016 dhe T I 2017).
Ndonëse në pamje të parë, ky është një zhvillim pozitiv, ka disa faktorë “të fshehur” që nuk na bëjnë shumë optimistë.
Së pari, rritja e pagave ka qenë e sforcuar nga mungesa e fuqisë punëtore dhe nuk është tërhequr nga përmirësimet strukturore në ekonomi, duke rrezikuar të kthehet në bumerang. Këtë e tregon dhe tendenca e sektorit të turizmit.
