Kompozitori Edmond Buharaja me një kontribut të madh në fushën e muzikës dhe studimeve u nda nga jeta. Njoftimin për ndarjen e parakohshme nga jeta të kompozitorit, studiuesit, pedagogut e drejtuesit të departamentit KMDP pranë Fakultetit të Muzikës, prof. asoc. dr. Edmond Buharaja e bëri Universiteti i Arteve. “Ai ishte një studiues dhe kompozitor i përmasave botërore. Krijimtaria dhe puna e tij kolosale studimore me botime tepër të vlerta do të mbeten trashëgimi dhe thesar për sot dhe brezat që do të vijnë”, thuhet nga Universiteti i Arteve, Tiranë.
Simfonia Alpine me Interlud, u vlerësua me çmime dhe mirënjohje nga disa prej figurave më të shquara të artit ndërkombëtar. Po ashtu, përveç studimeve të tjera, botimi i Analiza Schenkeriane dedikuar interpretimit organik të strukturave muzikore, u vlerësua nga tre prej studiuesve më të njohur si E. Pozzi, W. Drabkin dhe S. Pasticci, me urimet e vlerësimet më të mira për të. UA shprehet se njëkohësisht, kontributi i tij në të gjitha trevat Shqiptare, përkatësisht në Universitetin e Arteve Tiranë, Akademinë e Shkencave në Shqipëri, Institutin Albanologjik Prishtinë, Universitetin e Pejës, etj, do të mbetet një vlerë e shtuar dhe do të nderohet dhe kujtohet me shumë respekt.
“Ai do të mbahet mend edhe si njeriu i mirë, i drejtë, i thjeshtë dhe i kudondodhur, si mbështetje për këdo që i ka besuar aspektit njerëzor duke gjetur tek Prof. Edi besimin, fjalën e këshillën e mençur e të urtë të mikut, profesorit dhe njeriut me virtytet më sublime të karakterit njerëzor. Për Prof. Edin duhet të flitet gjatë por sot jemi të pafuqishëm, ndaj mund te themi vetëm: Prehu në paqe miku kolegu dhe profesori ynë i nderuar Edmond Buharaja”, shprehet Universiteti i Arteve.
