Turqia po ndërmerr hapa për një rritje masive të marinës së saj për ta bërë atë një nga fuqitë detare më të mëdha në Evropë. Rritja po alarmon disa nga fqinjët e saj. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Stamboll Dorian Jones, Ankaraja këmbëngul se kjo është thjesht për arsye mbrojtëse dhe përmbushjen angazhimeve në rritje rajonale të Turqisë.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan së fundmi inauguroi një nëndetëse të re të ushtrisë së Turqisë. Së bashku me një helikopterë-mbajtëse, fregata të reja dhe mbi dhjetëra luftanije të tjera në ndërtim e sipër, kjo është pjesë e përpjekjes së Erdoganit për ta bërë marinën turke ndër më të mëdhatë në Evropë.
“Kjo i shërben agjendës politike të Erdoganit për të ushtruar ndikim jashtë shtetit nga Katari në Somali e deri në Libi, në mënyrë që t’i përshtatet vizionit të tij. Për marinën, kjo do të thotë një rol më të madh në mbrojtjen e vendit, jo vetëm mbrojtjen territoriale, por mbrojtjen e interesave jashtë vendit”, thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Kadir Has, Serhat Guvenc.
Turqia ka baza ushtarake në Katar, Libi dhe Somali, me të cilat ka nënshkruar marrëveshje detare. Ankaraja thotë se zgjerimi i pranisë së saj detare është pjesë e trajtimit të kërcënimeve rajonale në rritje dhe ndihmës në përmbushjen e angazhimeve të saj në NATO.
