Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi ka pritur sot Presidentin e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit Polak (KRRIT), Maciej Swirski. Gjatë takimit u nënshkrua dhe një memorandum bashkëpunimi mes dy rregullatorëve.
Sipas njoftimit të AMA-s, Kryetarja Krasniqi gjatë takimit, ka shprehur vlerësimin për mundësitë e reja të bashkëpunimit që hapen sot mes dy rregullatorëve, atij shqiptar dhe polak.
“Kjo është e rëndësishme, sepse mendoj se vetëm kështu, ne mund të jemi të suksesshëm në punën tonë: duke ndarë idetë dhe planet tona për të përballuar sfidat e kohës, me të cilat po përballen aktualisht autoritetet që ne drejtojmë”, tha Krasniqi.
Gjatë takimit, kryetarja Krasniqi ka bërë një prezantim të shkurtër mbi punën e AMA-s dhe objektivat e arritura deri tani, siç janë miratimi i ndryshimeve ligjore dhe harmonizimi me Direktivën e BE-së 2018/1808, ose siç njihet ndryshe, Direktiva e ndryshuar për Shërbimet Mediatike Audiovizive, si dhe ndryshimet e mëtejshme të propozuara, që parashikojnë
përfshirjen e konceptit të Matjes së Audiencës ne ligj; luftën kundër piraterisë së të drejtave të transmetimit dhe vijimësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtar që punojnë në fushën e medias, në favor të përmirësimit të cilësisë së gazetarisë në median audiovizive dhe jo vetëm
Krasniqi theksoi gjithashtu se Matja e Audiencës vazhdon të jetë një objektiv aktual, i rëndësishëm, i punës së AMA-s, si institucion nxitës, për një proces të domosdoshëm për rregullimin e mëtejshëm të tregut audioviziv. Siç edhe lufta kundër piraterisë, një fenomen i përhapur tashmë edhe online.
“AMA do të vazhdojë forcimin dhe zhvillimin më tej të bashkëpunimeve, tashmë të konsoliduara, me partnerë të ndryshëm, që punojnë në fushën e mediave, për realizimin e objektivave të përbashkët në luftën kundër gjuhës së urrejtjes, dezinformimit etj”, tha Krasniqi.
