Komisioni i Sigurisë miraton planin e Agjencisë për Informim për vitin 2025, diskutohet mbyllja e ‘TikTok’

Data

Për mundësinë e mbylljes së rrjetit social TikTok është diskutuar të mërkurën në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Ky diskutim u zhvillua në prani të kryetares së Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dërmaku, ku deputetët nga pozita dhe opozita theksuan rreziqet që vijnë nga kjo platformë.

Deputeti i LVV-së, Dimal Basha, pyeti për mënyrat për të “shtrënguar punën e TikTok-ut”. Ai përmendi shembuj nga vende të tjera evropiane që kërkojnë letërnjoftim për hapjen e llogarive, duke synuar parandalimin e aksesit nga të miturit nën 16 vjeç. Po ashtu, ai kërkoi të kuptonte nëse mbyllja e platformës ishte e mundur në rast të mosrespektimit të rregullave.

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, e cilësoi TikTok-un si platformë “jashtë kontrollit” dhe shprehu shqetësimin për ndikimet negative të saj. Ai krahasoi situatën në Kosovë me atë të SHBA-ve, duke theksuar nevojën për masa më të ashpra ndaj rrjetit social.

Komisionerja Sogojeva sqaroi se mbyllja e platformave sociale nuk është në kompetencat e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, por është përgjegjësi e qeverisë. Megjithatë, ajo theksoi se Agjencia ka krijuar marrëdhënie bilaterale me TikTok, duke përmirësuar politikat e privatësisë dhe duke rritur kufizimet për përdoruesit e mitur. Sogojeva shtoi se një nga sfidat kryesore mbetet mungesa e një domeni zyrtar të Kosovës, gjë që ndikon në funksionimin e platformave sociale në vend.

Në këtë mbledhje, Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes miratoi planin e performancës së Agjencisë për vitin 2025. Sipas Sogojevës, prioritet i Agjencisë është mbrojtja e të dhënave personale përmes shtimit të inspektimeve dhe përmirësimit të kapaciteteve profesionale.

Diskutimet u ndërprenë për një moment kur deputeti Hisen Berisha përmendi një rast që lidhej me presidenten Vjosa Osmani dhe një operacion të kryer në Turqi. Berisha kritikoi faktin që presidentja nuk kishte autorizuar një zëvendësues gjatë kohës së mungesës, duke shkelur sipas tij ligjin. Ky debat shkaktoi pakënaqësi tek disa anëtarë të tjerë të komisionit, të cilët e cilësuan jashtë rendit të ditës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related