Gjermania do të forcojë kontrollet në të gjithë kufijtë e saj duke filluar nga e hëna e 16 shtatorit: këtë e bëri të ditur ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser, e cila shpjegoi se masat e reja, më të rrepta, do të jenë në fuqi për të paktën gjashtë muaj. Baza e këtij vendimi nuk është vetëm synimi për të kufizuar migrimin e parregullt, por edhe mbi të gjitha mbrojtja e sigurisë së brendshme nga kërcënimet e terrorizmit islamik dhe krimit ndërkufitar, të cilat kohët e fundit kanë shkaktuar një rritje të episodeve të dhunës në brendësi të vendit. I fundit daton dy javë më parë dhe është sulmi i Solingenit të marrë përsipër nga grupi i Shtetit Islamik.
“Ne po forcojmë sigurinë e brendshme dhe po vazhdojmë luftën tonë të ashpër kundër emigracionit të parregullt”, nënvizoi ministrja gjermane. “Derisa të ketë një sistem të ri të përbashkët evropian të azilit dhe mbrojtje më të fortë të kufijve të jashtëm të BE-së, do të nevojiten kontrolle më të forta në kufijtë kombëtarë.” Vetë kancelari, Olaf Scholz, premtoi një ndërhyrje në këtë drejtim pas sulmit islamik në Solingen. Më tej, ministri tashmë e ka njoftuar Komisionin Evropian për këtë vendim, siç ishte raportuar fillimisht nga Business Insider. Berlini, gjithsesi, ka disa kohë që dërgon sinjale në këtë front. Megjithatë, për Berlinin nuk do të jetë e lehtë t’i realizojë këto plane. Austria e ka bërë të ditur tashmë se nuk do të marrë mbrapsht asnjë azilkërkues i cili, sipas rregullores së BE-së, duhet të kërkojë mbrojtje në vendin e parë të BE-së në të cilin do të mbërrijë. Madje edhe Italia , nga e cila kanë ardhur 20 mijë persona në dy vitet e fundit, ka pezulluar në mënyrë të njëanshme riatdhesimet.
