Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në cilësinë e Kryetares së Komisionit të Çështjeve Europiane, kritikoi ashpër projektligjin për kërkimin shkencor, duke e cilësuar atë si jo plotësisht të përputhur me legjislacionin evropian dhe mungesën e përafrimit me angazhimet që Shqipëria ka ndaj Bashkimit Europian dhe Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Në fjalën e saj, Tabaku shprehu shqetësimin për nivelin e ulët të financimit për kërkimin shkencor, duke theksuar se buxheti qeveritar për këtë fushë arrin vetëm 500 milionë lekë, shumë larg nga mesatarja e vendeve të BE-së që shpenzojnë rreth 1% të buxhetit të tyre. Ajo theksoi gjithashtu se ky financim i dobët ka ndikuar negativisht në kapacitetet e universiteteve shqiptare për të kryer kërkime cilësore dhe për të tërhequr fonde nga programet e BE-së, siç është “Horizon 2020”.
Tabaku po ashtu u shpreh e shqetësuar për përmendjen e mangët të çështjes së plagjiaturës në projektligj, duke e cilësuar si një problem serioz për cilësinë e kërkimit shkencor në Shqipëri. Ajo kërkoi masa konkrete për krijimin e një databaze kombëtare për monitorimin dhe parandalimin e plagjiaturës në kërkimin shkencor.
Deputetja e PD-së kritikoi gjithashtu qeverinë për politizimin e kërkimit shkencor dhe mungesën e decentralizimit në këtë fushë, duke theksuar nevojën për reforma që e ndajnë kërkimin shkencor nga orientimet politike dhe propagandistike. Sipas saj, projektligji në formën aktuale nuk ofron zgjidhjet e nevojshme për përmirësimin e kërkimit shkencor në vend.
Fjala e zonjës Tabaku:
Ashtu sikurse u përmend, ky projektligj nuk përafron legjislacionin evropian. Megjithatë kërkimi shkencor është një nga detyrimet kryesore që rrjedh nga Traktati I Bashkimit Europian, Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe është pjesë e Planit Kombëtar të Integrimit Europian.
Së pari, e shoh me shqetësim që ne do të kemi ndarjen e granteve nga ministria përsa I përket kërkimit shkencor. Në reformën e arsimit të lartë që vet qeveria miratoi këtu e 10 vite të shkuara po bëhen tashmë, kërkimi shkencor dhe decentralizimi I universiteteve ishte një nga kriteret kryesore.
Qartësisht financimi i dobët nga ana e qeverisë, e cila për kërkimin shkencor shkon në maksimumin e 500 milionë lekëve kur mesatarja e vendeve të BE-së është 1% e të gjithë buxhetit për kërkimin shkencor është një nga arsyet kryesore. Unë shoh me shqetësim që në këtë projektligj përmendet vetëm 1 herë plagjiatura. Ndërkohë që ne kemi parë raste, një pjesë e madhe e kolegëve, janë vetë pedagogë, por ne kemi par raste të përmendura gjerësisht përsa i përket plagjiaturës.
Ndërkohë që edhe në kod, në mos gaboj vetëm neni 32 përmend plagjiaturën, ndërkohë që edhe në Kodin Penal, plagjiatura përmendet si një vepër penale e cila dënohet me gjobë. Nëqoftëse flasim për cilësi të kërkimit shkencor atëherë duhet të marrim dhe masat që ta pengojmë ndodhjen e plagjiaturës . A do të marri qeveria shqiptare masa për ngritjen e një databaze për të gjithë kërkimet shkencore dhe punimet shkencore.
