Spartak Braho: Qoftë e hajrit kopsitja e dosjes ‘Partizani’ nga SPAK dhe rrugë të ‘mbarë’ Berishës së bashku me…

Data

Ish-kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, njëherësh ish-deputet i Partisë Socialiste, Spartak Braho ka komentuar thirrjen e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) të mërkurën (nesër). Prokuroria e Posaçme duket se ka kopsitur dosjen për kompleksin “Partizani”. Pas zvarritjes së gati një viti, që pas vendosjes së Sali Berishës dhe dhëndrit të tij në “arrest shtëpie”, prokurorët kanë vendosur të konkludojnë me akuzat dhe të dërgojnë për gjykim ish-kryeministrin dhe dhëndrin e tij. Mësohet se ata janë thirrur ditën e mërkurë në organin e akuzës ku do të njihen me dosjen. Berisha pritet të mbërrijë në prokurori në orën 12:00, ndërsa dhëndri Jamarbër Malltezi do paraqitet në 14:00.

Reagon Braho

Por për të mësuar më shumë rreth kësaj çështje, gazeta bisedoi me zotin Braho. Ky i fundit në një reagim të fortë dhe të drejtpërdrejtë, ka shprehur mendimin e tij mbi zhvillimet e fundit lidhur me dosjen e njohur si “Partizani”. Braho ka uruar që hetimi i SPAK të përfundojë me sukses dhe të sjellë një zgjidhje të qartë për këtë çështje, duke i uruar një “rrugë të mbarë” Sali Berishës dhe dhëndrit të tij, të përfshirë në hetim. Madje Braho ka bërë një krahasim të fortë, duke thënë se “më mirë një fund i tmerrshëm sesa një tmerr pa fund” për Sali Berishën. Kjo shprehje nënkupton se një zgjidhje e qartë dhe përfundimtare e çështjes është më e preferueshme për Berishën sesa një situatë e zgjatur dhe e pasigurt që mund të vazhdojë për një periudhë të gjatë.

Në këtë kontekst, Braho ka paralajmëruar se zhvillimet e nesërme mund të kenë pasoja të mëdha dhe se pritjet janë të mëdha për atë se si do të përfundojë ky proces. Në këtë kuadër, pasuria e Berishës dhe dhëndrit të tij në lidhje me aferën e “Partizanit” do të marrë një drejtim të qartë, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në skenën politike dhe në rrjedhën e mëtejshme të çështjes. “Qofte e hajrit kopsitja e dosjes “Partizani” nga SPAK-u dhe rrugë të “mbarë” Sali Berishës së bashku me dhëndrin. Ndërsa Prokurorisë së Posaçme (SPAK) t’i kujtohet se u mbushën 80 vjet nga kapitullimi i fashizmit italian të Musolinit.

Nesër, nëse nuk jepet dënimi me burg apo arrest, do të komunikohen akuzat penale nga Prokuroria e Posaçme dhe çështja do t’i shkojë Gjykatës së Posaçme (GJKKO), e cila do të japë dënimin. Gjykata, kur të marrë dosjen nga SPAK-u, do të vendosë për datën e procesit gjyqësor dhe do të shprehet për fajësinë dhe llojin e dënimit. Nuk është se vendimi i nesërm të prokurorisë rëndon pozitat, por sqaron dhe formulon në fund aktakuzat për dyshen. E kuptove? Më mirë një fund i tmerrshëm sesa një tmerr pa fund. SPAK ka përfunduar dosjen si palë akuzuese dhe ia dërgon, siç parashikon ligji procedurial penal, Gjykatës së Posaçme për ta gjykuar dhe shpallur dënimin nëse e çmon si fajtor”, deklaroi ish-deputeti Braho për gazetën “SOT”.

Çfarë ka ndodhur?

Ende nuk bëhen me dije akuzat që SPAK do i komunikojë Berishës dhe dhëndrit të tij. Aktualisht, të dy janë persona në hetim nga SPAK, Berisha për veprën penale Korrupsioni pasiv i funksionareve te larte shtetërore ose te zgjedhurve vendore”, kryer në bashkëpunim, ndërsa Malltezi për “Korrupsioni pasiv i funksionareve te larte shtetërore ose te zgjedhurve vendore”, kryer në bashkëpunim, dhe “Pastrimi i produkteve te veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim. Nuk përjashtohet mundësia që gjatë hetimeve SPAK të ketë ndryshuar akuzën, ose të rëndojë pozitën e ish-kryeministrit dhe dhëndrit të tij, duke pasur parasysh që ndaj familjes Berisha dhe Malltezit ka nisur edhe një hetim i hollësishëm pasuror, ku janë venë nën sekuestro preventive edhe 25 pasuri.

Ky hetim u bë shkak për zgjatjen disa herë të hetimeve ku afati për zgjatjen e fundit është 2 tetori. Kjo është hera e dytë që Berisha dhe Jamarbër Malltezi janë thirrur në SPAK. Herën e parë ata u thirrën për të marrë ne pyetje në cilësinë e personave nën hetim, ndërsa të mërkurën do të paraqiten për t‘u marrë të pandehur zyrtarisht. Për këtë dosje, Prokuroria e Posaçme ka vënë në hetim edhe ndërtuesin Fatmir Bektashi, i cili aktualisht është në masën detyrim paraqitje. Ai është hetuar për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendore”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, por ende nuk dihet se kur do i komunikohet akuza.

Prej 30 dhjetorit 2023 Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie, masë e caktuar nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së SPAK. Ish kryeministri Berisha, nën hetim nga SPAK akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për të favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv Partizani, mbi të cilin ndërtoi më pas 19 kulla. Ndërkohë, Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, pasi ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij, Berisha.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related