Punë e pandërprerë e të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit, bazuar në inteligjencën policore dhe në hetimet me metoda proaktive, për goditjen e veprimtarive kriminale, garantimin e sigurisë publike dhe të mbarëvajtjes së sezonit turistik.
Planet operacionale mbarëkombëtare “Territor i pastër”, “Sundimi i ligjit”, “Tempulli”, “Para drejtësisë”, “Siguria detare” dhe “Plazh i lirë”, kanë vijuar me intensitet gjatë këtij muaji.
Në kuadër të tyre, në të gjithë territorin e vendit:
-janë finalizuar 105 operacione policore dhe janë vënë në pranga 560 autorë të dyshuar veprash penale të ndryshme. 70 prej tyre ishin në kërkim kombëtar;
-në bashkëpunim me partnerët, në kuadër të operacionit të koduar “Para drejtësisë”, janë kapur dhe/ose ekstraduar, brenda dhe jashtë Shqipërisë, 25 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar;
-gjatë operacioneve në shkallë vendi janë sekuestruar 39 armë zjarri, 7 armë gjahu, 3 silenciatorë, kapsollë detonatore, fitil zjarrpërcjellës, pajisje si të Policisë; 6 kg cannabis sativa, qindra doza cannabisi, kokaine dhe heroine, si dhe janë asgjësuar 54 380 bimë dhe fidanë cannabis sativa;
-një grup kriminal që trafikonte armë zjarri nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar, u godit falë bashkëpunimit mes autoriteteve ligjzbatuese shqiptare dhe atyre britanike. 3 pjesëtarë të grupit u vunë në pranga, ndërkohë po punohet për kapjen e 3 të tjerëve. U sekuestruan 25 armë zjarri;
-janë parandaluar 3 vrasje që mund të kryheshin me armë zjarri/armë të ftohta, si dhe është parandaluar përshkallëzimi i 6 konflikteve që mund të kishin pasoja të rënda;
-është zbardhur vrasja me mjet prerës e një 72-vjeçari, në Memaliaj. Veprimet profesionale hetimore çuan në pranga 3 shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje;
-janë zbardhur 2 tentativa për vrasje, disa djegie të automjeteve/pronave, 1 shpërthim me eksploziv dhe një aksident me pasojën vdekjen;
-janë zbardhur dhe dokumentuar nga Sektori për Hetimin e Krimit Kibernetik i DVP Tiranë, 62 raste të përndjekjeve online, të kryera nga 34-vjeçar që ndodhet i arrestuar në Francë, si dhe një rast tjetër i përndjekjes online nga një shtetas tashmë i arrestuar nga Policia e Tiranës, që ka shkaktuar largimin e një të miture nga banesa;
-janë zbardhur 60 raste të vjedhjes, 12 prej tyre çanta/portofola të turistëve;
-janë bllokuar 183 mjete lundruese, nga Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare, për cenim të perimetrit të sigurisë të caktuar për lundrim dhe/ose për mungesë dokumentesh. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar me masa administrative që variojnë nga 10 000 lekë deri në 110 000 lekë;
-janë sekuestruar 1075 çadra dhe shezlongë, të vëna pa leje dhe duke cenuar hapësirën publike në plazhet e qarkut Vlorë;
-është ndërhyrë në 13 lokale që kishin vënë muzikë, në tejkalim të nivelit dhe orarit të përcaktuar me ligj. Administratorët e këtyre subjekteve u proceduan në gjendje të lirë, si dhe u sekuestruan pajisjet që gjeneronin muzikën;
-është reaguar menjëherë për 32 raste të zjarrvënieve të qëllimshme ose nga pakujdesia. Autorët e tyre janë identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale;
-iu është dhënë ndihmë në 10 raste, 23 shtetasve që eksploronin vendin tonë, të cilët kishin defekte në mjetet me të cilat lëviznin ose kishin humbur orientimin në terrene të ndryshme;
-janë trajtuar ligjërisht 105 raste të dhunës në familje;
-janë goditur 25 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Janë sekuestruar 6 makineta, 1 kompjuter, 1 tavolinë pokeri, 15 televizorë, 10 celularë që i shërbenin kësaj veprimtarie dhe shuma parash;
-janë goditur 11 raste të kontrabandimit të mallrave të ndryshme. Janë sekuestruar bizhuteri floriri dhe argjendi, 500 litra naftë, medikamente mjekësore dhe mallra të tjera, pa faturat shoqëruese;
