Pllaka me emra të ministrive të Kosovës janë vendosur në një ndërtesë në Mitrovicë të Veriut, që më herët kishin qenë të vendosura institucione paralele të Serbisë.
Në këtë objekt komunal, që gjendet në Lagjen e Boshnjakëve, paraprakisht kishin qenë të vendosura institucione që financohen nga Serbia: Zyra për Kosovën, Drejtoria e Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria.
Ndërkaq, në objektin ku deri pak ditësh ishte vendosur komuna paralele e Mitrovicës, është vendosur tabela që tregon se aty gjendet Departamenti për Patentë Shoferë, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Më 30 gusht, përmes një aksioni të kryer nga Policia e Kosovës, në katër komunat në veri të Kosovës u mbyllën objekte të pesë institucioneve paralele serbe.
Nga Qeveria e Kosovës thanë se këto institucione funksiononin nën udhëheqjen e Serbisë dhe si të tilla cenonin kushtetutshmërinë e vendit.
