Ekspertë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara thonë për Zërin e Amerikës se grupet terroriste në Afrikë po rrisin përdorimin e dronëve për të kryer operacione që më parë mund të kryeshin vetëm nga ushtritë e këtyre vendeve. Zëri i Amerikës i hedh një vështrim vështirësive me të cilat përballen disa prej vendeve afrikane, nga Somalia në Sahel, në përballjen e tyre me kryengritjet.
Këto imazhe dronësh, të cilat Zëri i Amerikës nuk ka qenë në gjendje t’i verifikojë në mënyrë të pavarur, mendohet se tregojnë sulmin e grupit al-Shabab në një aeroport në Kenia në vitin 2021. Po kështu duket se tregojnë pamjet e një sulmi të koordinuar me dronë në Mali dhe Nigeri, nga grupi i armatosur i militantëve islamistë JNIM dhe atij të ashtuquajtur Provinca e Afrikës Perëndimore e Shtetit Islamik (ISWAP).
Sipas ekspertëve të Kombeve të Bashkuara, grupet terroriste në Afrikë të lidhura me Al-Kaedën dhe Shtetin Islamik po përdorin gjithnjë e më shumë dronët komercialë, për të kryer operacione.
“Këto mjete ajrore u mundësojnë atyre që të kenë një pamje më të mirë të fushës së betejës dhe mjediseve operative. Po kështu u sigurojnë atyre një mënyrë të re për të mbledhur informacion dhe për të planifikuar e koordinuar sulme, ndonjëherë me një shkallë më të lartë saktësie dhe viktimash”, thotë Barbara Morais Figueiredo, e Institutit të OKB-së mbi Çështje të Çarmatimit.
Ekspertët theksojnë se ushtritë që luftojnë kundër kryengritjeve dhe përballen me kërcënime terroriste nga ajri, për herë të parë janë në disavantazh.
