Prej muajit mars 2024 e deri më sot, 12 mijë e 324 familje kanë përfituar kompensim të faturave të ujit. Subvencioni po shpërndahet nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve në masën e planifikuar në ligjin vjetor të buxhetit, në përputhje me zërin buxhetor subvencione. Subvencioni jepet për familjet në nevojë, për konsumin familjar të ujit deri në 5 m3 në muaj. Janë pesë kategoritë e familjeve në nevojë që përfitojnë, sipas nenit 7 të ligjit për Asistencën Sociale. Janë familjet në nevojë, që nuk kanë të ardhura ose kanë të ardhura të pamjaftueshme, jane jetimët, të cilët nuk ndodhen në institucionet e kujdesjes shoqërore. Janë edhe prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë, janë viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e kujdesjes shoqërore, deri në çastin e punësimit të tyre, si dhe viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare. Këto kategori po kompensohen në masën 100 përqind për vlerën e faturuar deri në sasinë 5 m³ në muaj ujë të pijshëm për kontratë, për të përmbushur nivelin minimal jetik. Për këto kategori subvencionohet edhe tarifa fikse, tarifa e kanalizimeve dhe e trajtimit të ujërave të ndotur urbanë. Zbritja për kategoritë e lart përmendura bëhet automatikisht në faturën mujore të nxjerrë nga shoqëria e ujësjellës-kanalizimeve.
Qytetarët që i përkasin kategorive në nevojë mund dhe duhet të kontaktojnë Shoqëritë Ujësjellës-Kanalizime, në rast se vënë re se nuk ju jepet subvencioni, në formën e zbritjes së vlerës së ujit të harxhuar me 5 m3 në faturën mujore. Reforma për ujin është në avancim. Ajo nisi në maj 2022, kur nga 58 shoqëri aksionere të ujësjellës-kanalizimeve, nën administrimin e plotë të 61 bashkive, shumica me probleme të jashtëzakonshme menaxhimi dhe akumulimi borxhesh, u krijuan 15 shoqëri rajonale, asambletë e të cilave menaxhohen 51 përqind nga Ministria e Energjisë dhe Infratrukturës dhe 49 përqind nga bashkitë dhe vetë shoqëritë rajonale. Fakti që qeveria qendrore ka 51 përqind të aksioneve ofron garancinë e furnizimit të këtij malli jetik, ujit, duke respektuar, përmes një pune të përbashkët midis pushtetit vendor dhe atij qendror, autonominë e pushtetit vendor.
Ky i fundit është jo vetëm pjesë aktive e reformës, por edhe po monitoron procesin, duke përcjellë nga afër kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve në bashkitë përkatëse. Që në qershor 2022, 40 bashki të vendit morën vendim për t’u bërë pjesë e reformës në sektorin e uji, të pasuara më vonë nga bashki të tjera. Në dy e dy muaj, nga qershori 2022 e deri korrik 2024, reforma në ujësjellësa-kanalizime ka ecur më shumë se sa në 32 vitet e fundit të marra së bashku. Shumica e 15 shoqërive rajonale kanë likujduar faturën korente të energjisë elektrike(borxhi më i madh i ujësjellësave), madje edhe disa detyrime të vjetra, duke e ulur disi borxhin e trashëguar prej 270 milionë euro(kryesisht, borxh OSHEE-së, plus kamatëvonesat). Gjatë vitit 2023, 12 nga 15 shoqëritë rajonale të krijuara, nuk krijuan detyrime të reja dhe likujduan një pjesë të detyrimeve të trashëguara. Pjesa e dytë e programit qeveritar të Performancës dhe të Investimeve në sektorin e ujit, i nisur më 15 mars 2024, quhet Programi Infrastruktura Bashkiake V. Ky program angazhon 50 milionë euro dhe do të sjellë përmirësim të ndjeshëm të situatës së furnizimit me ujë të pijshëm në disa prej qyteteve kryesore të vendit dhe në zonat rurale në Shkodër, Lezhë, Elbasan, Fier, Berat dhe Vlorë.
Ai financohet nga qeveria gjermane, nëpërmjet bankës së njohur të zhvillimit KfW, nga qeveria zviceriane, përmes SECO, nga Bashkimi Europian dhe nga qeveria shqiptare. Nga ky program po përfitohen 266 kilometra rrjet i ri ujësjellësi, 17.4 kilometra rrjet i ri kanalizimesh, 14 mijë lidhje të reja dhe rehabilitim i lidhjeve ekzistuese, si dhe rreth 13 mijë matësa të rinj të instaluar uji. Menaxhimi më i mirë i 15 shoqatave rajonale të ujit ka sjellë ndryshime. Në 30 korrik 2024, kishim 4 milionë euro më shumë arkëtime nga shoqatat rajonale, si dhe 7 përqind më pak ujë pa të ardhura, se sa korriku 2023. Pra, më pak humbje dhe abuzim, më pak ujë të pafaturuar. Beteja për ujin 24 orë për qytetarin nuk është fituar akoma, por ajo ka avancuar, njësoj si dhe mbrojtja e kategorive të familjeve në nevojë, për shpenzimet jetike për ujin e pijshëm.
