Opozita do ta vazhdojë betejën për Himarën duke kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Himarë edhe në Kolegjin Zgjedhor. 5 ditë më parë Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ e rrëzoi kërkesën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” të dyshes politike Meta-Berisha për pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve me argumentin se nuk është konstatuar asnjë shkelje që do të ndryshonte rezultatin zgjedhor. Padia është depozituar dje dhe pritet të merret në shqyrtim. Kolegji Zgjedhor është hallka e fundit e shqyrtimit, duke dalë me një vendim të formës së prerë që më pas do t’i hapë rrugë betimit të Vangjel Tavos si kryetar bashkie
Rrëzimi i padisë
Ndërkohë për Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve rezultati i zgjedhjeve të pjesshme të Himarës që nxori fitues Vangjel Tavon është i pakontestueshëm. Kërkesa e Koalicionit opozitar “Bashkë-Fitojmë” të dyshes politike Meta-Berisha për pavlefshmëri të zgjedhjeve u rrëzua nga KAS me unanimitet, me argumentin se nuk është konstatuar asnjë shkelje që do të ndryshonte rezultatin zgjedhor. Vendimi u mor pak ditë më parë pas shqyrtimit të materialeve zgjedhore në të 36-ta kutitë, në të cilat sipas përfaqësueseve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rrëzojnë pretendimet e opozitës se 6 mijë qytetarëve u mohua e drejta për të votuar për shkak se u kishte skaduar karta e identitetit. Nga shqyrtimi i procesverbaleve rezultoi se vetëm 169 zgjedhës nuk arritën të hedhin votën e tyre në kuti. Ndërsa përfaqësuesi i partisë socialiste në KQZ, Eridian Salianji tha se opozita nuk kishte asnjë provë konkrete për të vërtetuar pretendimet e saj. “Ky proces të shërbejë për të mbyllur sagën e Himarës se ky proces vërtetoi që zgjedhjet ishin të drejta dhe jo në shkelje të ligjit. Në shumicë KQZ ka qenë e partisë demokratik. Ishte një proces për të justifikuar humbjen. vetëm 160 persona kanë shkuar me karta të skaduara dhe ata mund të kenë qenë edhe të PS”, Eridian Salianji, përfaqësues i KQZ-së.
Berisha akuza Ramës
Nga ana tjetër, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk ka pranuar humbjen në bashkinë e Himarës ku kandidati i PBDNJ-së dhe i mbështetur nga Partia Demokratike, Petro Gjikuria humbi përballë rivalit socialist, Vangjel Tavo. Vangjel Tavo fitoi zgjedhjet me 58.62% të votave, duke lënë pas Petro Gjikurinë me 41.38%. Në një postim në rrjete sociale, Berisha shkroi pak ditë më parë se “Rama e ka grabitur mandatin”, dhe se ky mandat i Tavos “qëndron mbi krimin monstruoz elektoral”, thotë ai, ndërsa liston edhe disa ka shkeljet, që nga procesi i votimit deri te numërimi. “Grabitja e rradhës! Të dashur miq, Edivin Gjipea pasi rrëmbeu me dhunë terror burgim politik mandatin e Fredi Belerit në Himarë kreu dje grabitjen e tyre të mandatit me kukullën e tij Vangjel Tavo. Ai në këtë grabitje mobilizoi në shkelje të ligjeve dhe kushtetutës të gjithë potencialin e shtetit kriminal elektoral dhe institucionet e tij, ju mohoi të drejtëm kushtetuese të votes 6153 qytetarëve të Himarës me motivin e skadimit të afatit të kartave të identitetit ndërkohë që në maj të vitit 2023 me vendim të veçantë i kishte lejuar të votonin. Me qëllim grabitjen e mandatit, Edvin Gjipea solli në listat e votimit në Himarë 360 votues nga Dropulli, Saranda dhe Tirana dhe qindra të tjerëve iu ndryshoi qendrat e votimit. Të gjitha këto ndërhyrje të shtetit kriminal elektoral, manipulime me listat e zgjedhësve dhe përjashtimi i 6153 qytetarëve nga votimi dëshmojnë se mandati i Tavos qëndron mbi krimin monstruoz elektoral. Me Edi Ramen nuk ka zgjedhje. O sot o kurrë”, shkroi Berisha.
